Templates by BIGtheme NET

Vuçiç viziton Kosovën në shtator, premton projekte infrastrukturore

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se në shtator do të shkojë për vizitë në Kosovë që të bisedojë me serbët e Kosovës për të ardhmen, ndërsa paralajmëroi projekte të reja infrastrukturore në Kosovë, si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit.

Ai tha se asnjë vendim nuk do të merret pa serbët e Kosovës.

“Asnjë vendim nuk do ta marrim pa ju dhe unë vij në Kosovë në shtator, pasi dua të bisedoj me të gjithë ju dhe t’ju them se cilat do të jenë të rejat në bisedimet rreth të ardhmes së Kosovës, që të planifikojmë së bashku, të ndërtojmë së bashku dhe të jetojmë bashkërisht”, tha Vuçiç i cili përmes telefonit iu drejtua të pranishmëve në takimin e Listës Serbe me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Marko Gjuriç, në Mitrovicën e Veriut.

Ai paralajmëroi se Serbia këtë vit dhe vitin e ardhshëm do të fillojë me realizimin e projekteve infrastrukturore në Kosovë, si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit që kanë të bëjnë me ujësjellësin, kanalizimin, si dhe se do të investohet më shumë para se kurrë.

“Unë nuk do të flas shumë përveç se këtë vit, si dhe vitin e ardhshëm, do të fillojnë projektet më të mëdha të infrastrukturës në Kosovë, si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit. Do të bëjmë ujësjellëse, kanalizime dhe gjithçka tjetër. Do të bëjmë më shumë se sa kemi bërë ndonjëherë, sepse duam të dëshmojmë se kemi qenë pranë popullit tonë, jemi dhe do të mbetemi gjithmonë”, tha ai.

Vuçiç, po ashtu, premtoi se do të ndërtojë çerdhe për fëmijë në Shtërpcë e deri te ujësjellësi në Zubin Potoku.

“Sa i përket zgjidhjes, ne jemi larg nga çdo zgjidhje, por ne do të vazhdojmë të luftojmë, andaj ju kërkoj ndihmë, sepse e dini më mirë se kush po lufton për Kosovën dhe ju e dini se kush është me ju”, tha Vuçiç.

Ai, gjatë kësaj paraqitje telefonike rreth katër minutëshe, ka kritikuar opozitën dhe kundërshtarët tjerë, ndërsa premtoi se do të realizojë të gjitha projektet për të cilat do të kenë nevojë qytetarët nëpër të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Ndërsa, Marko Gjuriç, ka garantuar se çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen, serbët do të kenë më shumë siguri, mbështetje, para dhe gjithçka tjetër.

Në anën tjetër, sekretari gjeneral i presidentit të Serbisë, Nikolla Selakoviç, e ka quajtur popullin serb të Kosovës argumentin më të mirë, pa të cilin askush në Beograd s’do të kishte pasur çka të punojë dhe as të flasë, shkruan Kosova Press.

Sipas tij, disa përfaqësues të opozitës serbe, anëtarë të Kishës ortodokse serbe, por edhe aktivistet e njohura serbe Natasha Kandic e Sonja Biserko, janë renditur në të njëjtin tabor vetëm për t’i bindur të gjithë në Serbi se më mirë është që Kosova në kufijtë ekzistues të mos preket dhe të mbetet shqiptare.

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto