Templates by BIGtheme NET

Një rrëfim mbi degradimin e spitaleve psiqiatrike

Nga Rezearta Causha

Nuk para qaj hallet e mia në facebook, por përveç ferrit që kemi kaluar dy javët e fundit si familje, njerëzit duhen ndërgjegjësuar me anë të situatave reale.

Jo më shumë se një javë më parë, doktoreshë Shqiponja Rrapaj, iu drejtua motrës sime me fjalët “Do të të nxjerr për leçkash përjashta!”, kur për të mijtën herë kërkuam shtrimin e vëllait për arsye të sëmundjes mendore të avancuar dhe tendencës për të dëmtuar shëndetin e vet.
E kërkuam të pajisur me rekomandim të mjekut të familjes dhe mjekut të Qëndrës Komunitare të Shëndetit Mendor, pasi nëna jonë, njëkohësisht kujdestarja, pësoi goditje cerebrale. Për shkak të stresit ishte diagnoza e saj. Ligjërisht këto rekomandime mjaftojnë.

Ironikisht, ngjarja e ndodhur në fshatin Selenicë të Vlorës, ku një i ri vrau 8 të afërm hapi, midis të tjerash, një debat mbi kujdesin që shteti tregon për personat me sëmundje të shëndetit mendor.
I njëjti debat u hap dy vjet më parë ku një person me histori të shëndezit mendor i preu kokën një fëmije 9 vjeç.
Jo rastësisht, debati përqëndrohet vetëm në rastet kur i sëmuri shfaq njëkohësisht edhe sjellje agresive apo të dhunshme, pasi shoqëria ndihet e kërcënuar veçanërisht nga kjo kategori.

Opinionet apo analizat janë nga kënde të ndryshme, por më i fundit që dëgjova ishte z. Skerdi Zykaj, psikolog me profesion, në një intervistë te televizioni FaxNews.
Ai tha se e gjithë shoqëria duhet të angazhohet në përkujdesin ndaj personave të shëndetit mendor (ndonëse vrasësi nuk është klasifikuar me të tilla probleme ende).
Nga eksperienca ime me 2 familjar me probleme të shëndetit mendor më duhet të them se pohime apo citime të formulave të tilla të gatshme në kontekstin tonë nuk vlejnë fare.
PËRKUJDESJA E PERSONAVE ME PROBLEME TË SHËNDETIT MENDOR ËSHTË BARRË E FAMILJES. PIKË.
Nëse ndodh të përplasësh kokën në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, siç i ndodh rëndom familjes sime, të përcjellin duke të kujtuar rregulloren për përkujdesjen nga shtëpia të pacientit.
Por rasti konkret bën fjalë për gjendje të rënduar akute të sëmundjes mendore, për të cilët parashikohet ligjërisht trajtimi në spital.

Përkujdesja nga shtëpia nuk është veçse një gjilpërë qetësuese që e vendos të sëmurin në gjumë rëndom.
Ajo nuk merr parasysh asnjë rrethanë familjare, veç faktit që shteti paguan një kujdestar dhe ai duhet të përballojë çdo situatë të mundshme.
Qasja është “Merr këto 100 mijë lekë (duke korruptuar anëtarët e komisionit) dhe mos u duk më!”
Nëse nuk gjenden persona të aftë fizikisht a mendërisht për përkujdesje, nëse familja është e paaftë të përkujdeset për familjarin e sëmurë për shkak të rrethanave të jetës apo për përkujdesin e veçantë që ai kërkon, personi është në mëshirë të fatit. Po ashtu edhe familja.
Nëse familja ka dy persona të sëmurë, kujdestaria jepet vetëm për njërin.
Përkujdesja nga shtëpia nuk merr parasysh situatat familjare me më shumë se një person me probleme të shëndetit mendor apo si ndikon kjo te gjendja e pacientit (të mos flasim për gjendjen e familjes).

Alternativa që ofrohet është që familja ta çojë të sëmurin te Qëndra Ditore, ku ai ta kalojë ditën duke fjetur pasi i është bërë qetësues.
Nëse i sëmuri nuk pranon të shkojë atje vullnetarisht, asnjë ndihmë nuk i ofrohet familjes nga shteti.
Nga ana tjetër, Qëndra Ditore, e programuar për persona me potencial riintegrimi në shoqëri, përdoret rëndom për të rekomanduar pacient me stad të avancuar të sëmundjes.
Ato aktivitetet për riedukimin e shkathtësimin e pacientit tingëllojnë bukur në letër.

Nuk ka asnjë klasifikim mbi llojin e sëmundjes, nivelin e përkeqësimit, agresivitetin që mund të drejtohet ndaj të tjerëve apo ndaj vetes.
Shumicës së pacientëve iu refuzohet shtrimi me arsyen se nuk kanë agresivitet, por agresiviteti përcaktohet nga doktorët.
Nëse i sëmuri minimalisht nuk zhdëp njeri në dru, doktorët përfitojnë për ta quajtë parrezikshëm.
Nëse ai ka tendenca të dëmtojë shëndetin e vet Zoti e ruajtë!
Nëse është e pamundur që ai të jetojë në familje, ai i lihet në ngarkim familjes gjithsesi.
Sikur të mos mjaftonte ligji dhe rregullorja problematike, një pjesë e mjekëve ose janë neglizhent ose kërkojnë rryshfet për shërbimin.

Doktoresha Rrapaj, e cituar më lartë, është kapur në aferë rryshfeti si kryetare komisioni para pak vitesh dhe u lirua nga detyra për pak kohë. Ajo është rikthyer në detyrë dhe vazhdon abuzimin, paçka se ka dal edhe në pension.

Doktoreshë Diana Brahimuço po ashtu u kap nga emisioni Fiks në vitin 2012. Jo vetëm e kanë rikthyer, por e kanë ngritur në detyrë.

Fati i të sëmurit dhe të afërmve, e pohoj me gjithë përvojën 30 vjeçare të familjes sime, është rëndom në duar të doktorëve të tillë.

Ato janë të afta të refuzojnë trajtimin me shtrim të pacientit, ndonëse i nevojshëm, edhe për arsyen e pathënë se ky i fundit nuk kujdeset dot për veten.
Pra, kërkohen pacient me diagnoz skicofrenie me standarde, jo dosido.
Nuk po flas për konfliktet që hapin, mungesën e korrektesës apo fyerjet se kur e di që je në dorë të tyre, nuk i llogarit fare.

Nëse do të përfillesh apo jo, do të varet vetëm dhe vetëm nga ata pak njerëz të mirë e profesionist që do të takosh (kam në mendje doktoreshë Jonën, Lauretën dhe doktor Stilianon).
Mundësitë e tyre janë të kufizuara e shpesh të paefektshme përballë kolegëve të tyre me pozicion e miq “të fortë”, por lehtësimi i përkohshëm të vjen vetëm prej tyre.
Është lehtësimi që të ofron humanizmi dhe solidariteti njerëzor.
Ai që mungon në këtë histori është shteti. Ai nuk gjendet gjëkundi.
Sepse të sëmurit mendor nuk dalin dot t’i thurin elozhe qeverisë në TV. Ata jetojnë më shumë brenda mendjes së tyre.

PS: Historia e familjes sime nuk është histori e veçantë për nga natyra e trajtimit që i bëhet. Pozicioni i saj rëndohet ndoshta nga fakti se kemi dy të sëmurë, por është historia e çdo familjeje që ka persona me sëmundje të shëndetit mendor mes tyre në Shqipëri.

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto