Templates by BIGtheme NET

Një sqarim për guralecët e Vanit

Nga Edmond Bejtaj

Nga e shtuna deri dje, kam shkruar këtu mbi ngjarjen e rëndë të Resulajt që u bë objekt i diskutimit në të gjithë nivelet e shoqërisë tonë, natyrisht në mënyra të ndryshme.

Dje dy portale pasqyruan diçka të shkruar nga unë këtu, ku thosha se po te isha avokat do ta merrja përsipër me dëshirë mbrojtjen e autorit të këtij krimi të lemerisur.

U zbavita duke lexuar komentet e rrjetit, e për pasojë më duhet të them diçka si punë replike ndaj tyre, ;

– Unë për zanat nuk jam as njeri i drejtesise dhe as i gazetarise, keshtu që me atë që thashe (pra, nëse do isha avokat, etj, etj..) nuk shpreha as ndonjë peng të jetës time dhe as ndonjë dëshirë mbi te ardhmen time, ndërkohë se Ridvanin nuk ka Zot që ta mbrojë nga ndëshkimi për atë që bëri, kēshtu që të gjithë të rrinë të qetë se ai do dënohet maksimalisht edhe sikur unë tē mos jem dakord me masën e dënimit që do i jepet.

Por une isha duke thene diçka tjeter kur thashe se do ta mbroja me deshire atë po të isha avokat (kur thashë këtë unë nuk e dija që shumë avokatë nuk kishin pranuar të merrnin përsipër mbrojtjen e vrasësit, duke treguar kështu se edhe brenda komunitetit te nderuar te avokatëve, ka plot njerëz me probleme), pra isha duke thënë jo që do ta mbroja atë nga goditja prej ligjit, dhe as nga dënimi për krimin që kreu, por do doja t’i isha afër për ta mbrojtur nga linçimi i turmës (nēse dje nuk do ishte në kafaz, me siguri që ca shkelma e pështyma do i kish ngrënë edhe nga një tufë gazetarësh me probleme mendore), dhe natyrisht për të zbuluar se çfarë shkaku e ktheu atë djalë në një monstër, në mënyrë që shqiptarët të kuptojnë se në zhur nuk rritet as bari i keq, ama në një tokë pjellore mbin dhe rritet gjithshka.

Kështu që të gjithë atyre që më keqkuptuan, u kujtoj se shoqëritë njerëzore dallohen nga njera-tjetra jo thjesht nga mundësitë që i japin individit për të jetuar si njeri, por edhe nga mundësitë që i japin atij për te vdekur si njeri, e po ashtu, krimit i ndëshkohet pesha, por jo cilësia, që do të thotë se nëse vrasësi arrin të jetë spektakolar gjatë kryerjes se krimit, ne nuk mund t’i lejojmë vetes të jemi po aq spektakolarë në ndëshkimin e tij (sepse vura re komente që propozonin mënyra ndëshkimi nga ato të vjetrat, nga ato që bënin dikur turqit, tip, – prerje e mishit dhe mbushje me kripë, që do të thotë se Ridvanin mund ta dënojmë edhe duke e kthyer në pastërma), përndryshe bëhemi të gjithë njësoj.

Ndërsa atyre që mendojnë se unë e thashë atë për tu treguar kundër rrymës, u them se unë thjesht refuzoj të jem pjesë e turmës, ngaqë jam i bindur se brenda saj çdo individ nuk është asgjë tjetër përveçse një guralec që lëviz sipas drejtimit të erës.

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto