Templates by BIGtheme NET

Thaçi: Integriteti territorial i Kosovës garantohet nga kushtetuta dhe jo nga deklaratat emocionale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kritikoi të mërkurën opozitën për shkak të qëndrimit të saj kundërshtues ndaj ideve të tij për “korrigjimin e kufirit” si rrugë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në një postim në facebook, ai shkroi se që nga shpallja e pavarësisë dhe deri më sot, Kosova asnjëherë nuk ka pasur vëmendje më të madhe ndërkombëtare. Duke filluar nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia, Anglia dhe pothuajse të gjitha shtetet anëtare të BE-së, janë të përfshira në përpjekjet për arritjen e marrëveshjes paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje eventuale, e cila është shumë e vështirë të arrihet, qëllim kryesor ka njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin tonë në BE, NATO dhe OKB. Pra, përderisa në njërën anë kemi të gjithë aleatët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës në mbështetje të fuqishme për arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë, fatkeqësisht në Kosovë, në anën tjetër kemi një opozitë të ndihmuar nga disa zëra të vetmuar të shoqërisë civile që e konsiderojnë këtë mbështetje si qëllimkeqe për Kosovën. Nuk ka fatkeqësi më të madhe për shtetin dhe qytetarët e Kosovës kur disa parti opozitare apo individë e vendosin në pikëpyetje përkrahjen e SHBA-së dhe aleatëve tanë kryesorë”.

Kjo situatë është për keqardhje, shkruan ai duke nënvizuar se “sovraniteti shtetëror dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i garantuar nga Kushtetuta jonë dhe jo nga deklaratat emocionale të atyre që as nuk e kanë idenë sesi është fituar liria dhe pavarësia e jonë. Kjo propagandë e paskrupullt e partive opozitare kundër aleatëve tanë ndërkombëtarë, e mbështjellë me panikun për gjoja cenimin e sovranitetit shtetëror, është e rrezikshme dhe e turpshme”, shkruan ai.

Partitë opozitare në Kosovë synojnë që më 4 shtator të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e parlamentit të Kosovës ku do të hidhet për miratim një rezolutë që, siç thuhet “i ndalon presidentit dhe kujtdo tjetër të negociojë për tërësinë territoriale të Kosovës”.

 

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto