Templates by BIGtheme NET

Fragmente nga “Teknologjia po ndryshon Rendin Botëror”

Nga Erl Kodra

Bashkimi Europian

Teksa sheh Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Sigurinë; me fjalë të tjera njëlloj si Ministri i Jashtëm i një shteti, ngjashëm me Sekretarin e Shtetit, mendja të shkon se kjo Zonjë është thjeshtë ekzekutuesja e politikave të Bashkimit Europian, ose më mirë të themi, e shteteve antare të BE-së, rrjedhimisht të Kancelares Angela Merkel dhe Presidentit Emmanuel Macron.

Por jo!, nuk është e thënë në këtë rast. Sepse Bashkimi Europian është diçka tjetër që funksionon ndryshe, ose më mirë të themi se pothuaj funksionon çuditshëm. Shumë vende anëtare ankohen për burokraci, të tjerë për paaftësi, të tjerë akoma për diktat. Në të vërtetë “Qeveria Europiane” e Brukselit, sidomos dhe veçanarisht gjatë epokës Mogherini funksionon në një kaos perfekt, aq sa, në shumicën e herëve qëndrimet e Mogherini-t dhe Komisionerve Europian janë diametralisht të kundërta, ta zëmë edhe me shefat e shteteve si Angela Merkel dhe Emmanuel Macron.

Mjaftojnë të kujtojmë dështimet e BE-së për menaxhimin e krizës së refugjatëve, largimin e Britanisë së Madhe dhe ekstremizmin në rritje, për të kuptuar se Bashkimi Europian është në rënie të lirë, në një krizë të thellë lidershipi dhe organizimi, që po shkon me shpejtësi drejt një krize ekzistenciale. Kjo padyshim që është një lajm i keq, sidomos në një botë që po e shkatërron me shpejtësi rendin të cilin e njohim.

Rendi botëror

“Rendi botëror” nuk është diçka që ndryshohet lehtë, madje ky ndryshim nuk erdhi edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Por me sa duket gjithçka po shkatërrohet vetiu, sepse gjërat kanë humbur balancën; drejtpeshimin, raportet. Por le të përpiqemi të kuptojmë se çfarë po ndodh realisht.

Pabarazia sociale pranohej në Mesjetë. Madje pranohej edhe skllavëria dhe puna e detyruar. Situata e pabarazisë pranohej lehtësisht edhe në kapitalizëm; në kapitalizmin e egër dhe në “komunizmin” lindor kjo pabarazi deri vonë ngjante “e pranueshme”.

Por gjërat përfundmisht kanë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme. Thjeshtë; ata që vendosin për ne, për njerëzimin pra, akoma nuk e kanë kuptuar. Dhe saktësisht për këtë arsye njerëzimi rrezikon një kaos të ri, mbase edhe një Luftë të Re. Shenja e këtij moskuptimi ka boll, gjithandej; një BE e dobët dhe çoroditur, një Britani e Madhe që braktis Bashkimin Europian, një Turqi tepër e rëndësishme për Sigurinë Globale që pushtohet nga një despot, një Rusi që lëngon prej vitesh nën sundimin e një oligarku, por e kthyer në rrezikun më serioz për paqen dhe sigurinë globale, një Itali me një qeveri karikaturë populiste, një Siri e përfshirë nga ferri i terrorizmit, një Irak dhe Afganistan ku nuk pushojnë bombat, një Libi, një Liban, një Egjypt…

Një Amerikë me një President që akoma nuk dimë se çfarë është, domethënë… sepse Amerika nuk është vetëm Amerika, por ajo në kuptimin e parë, në “rendin” e pas Luftës së Dytë Botërore, është Shpresa e Madhe e Njerëzimit.

Dhe të mendosh se është Teknologjia ajo që po ndryshon rregullat, ose më mirë të themi po i thyen rregullat! Interneti, telefoni dhe sateliti tashmë ndodhet në duart e shumicës së banorve të botës. Gjithçka përhapet vrullshëm; zhvillohet dhe transformohet në çast. Biznesi bëhet nga një kompjuter, kriza përhapet nga një kompjuter, diplomacia bëhet në facebook dhe twitter, lajmet për Kim Kardashian i marrim me një Iphone, ndërsa për ndyrësitë e liderve botërorë kujdeset Julian Assange.

Në këto kushte, a mund të ruhet Status Quo-ja e botës që njohim?! Si mund t’i thuhet sot një siriani që të jetojë në ferrin e Aleppo-s? Si mundet që një afrikan të vazhdoj jetën në shkretëtirë, pa ujë, pa drita, pa higjenë, pa spital dhe pa shkollë, ndërkohë që sheh, dëgjon dhe kupton se bota është më e madhe se sa mirazhi i tij i zi?

Ata, të fuqishmit e botës vërtet sollën zhvillim teknologjik dhe industrial për njerzimin; vendosën rregulla dhe ndërtuan rendin botëror me ligjet që njohim, por ama ndërtuan një botë të padrejtë, që shfrytëzon resurse natyrore, lejon diktatura për hirë të stabilitetit, përçon kriza të thella ekonomike, shet prodhime dhe produkte të korporatave ndërkombëtare, dhe nuk jep asgjë në shkëmbim në kuptimin e lirive politike dhe ekonomike, duke ruajtur me fanatizëm sistemin nga “njeriu global”.

Gjithçka për vendet e fuqishme, asgjë për vendet vogla. Gjithçka në funksion të dominimit, asgjë për njeriun global. Sepse globalizmi është fakt në kuptimin ekonomik dhe financiar, sa kohë që krizat ekonomike përcillen sistematikisht dhe globalisht.

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto