Templates by BIGtheme NET

‘Do vijnë turistët për të parë veprën e Bjarke Ingels’ por danezi dyshohet se kopjoi projektin e teatrit

Kryeministri Edi Rama gjatë emisionit të ri të Eni Vasilit në Top Channel ‘Open’, u shpreh për arkitektin Bjarke Ingels, se ishte një nga arkitektët më të mëdhenj të botës dhe në Shqipëri do të vijnë turistët vetëm për të parë veprat e tij.

“Bjarke Ingels është një nga arkitektët më të mëdhenj të botës. Një vepër e Bjarke Ingels në Tiranë do të thotë turistë që vijnë për të parë veprën e tij, vetëm për të parë veprën e tij.”, janë fjalët e Ramës, ndërsa po përgjigjej mbi akuzat se projekti për ndërtimin e Teatrit Kombëtar është realizuar pa konkurs ndërkombëtar, sikurse kërkonte Rama vite më parë.

Bjarke Ingels është arkitekti që ka realizuar projektin për ndërtimin e Teatrit i cili ka studion “Bjarke Ingels Group” me qendër në Danimarkë, për të cilin Rama flet me superlativa. Por kryeministri duket se nuk i ka dëgjuar ose nuk i ka kushtuar rëndësi pretendimeve se Ingels e ka kopjuar projektin nga një kompani tjetër.

Projekti për Teatrin Kombëtar që u prezantua nga qeveria pak muaj më parë, ka një ngjashmëri të madhe me një projekt në Korenë e Jugut, i hartuar për qytetin Busan, i menduar për ndërtimin  e një “Opera”. Ky projekt është hartuar në vitin 2011 dhe mban firmën e disa arkitektëve ukrainas.

Avokati Altin Goxhaj ka hulumtuar në lidhje me këtë dhe ka arritur në përfundimin që projekti i Teatrit Kombëtar është kopjuar nga  studio “Forma Architects” e cila ka hartuar projektin për Operan në Korenë e Jugut. 

Goxhaj ka deklaruar se arkitektët ukrainas që kanë bërë projektin për në  Korenë e Jugut janë Oleksiy Petrov, Irina Miroshnykova, Dmytro Prutkin, Alice Magirovskaya, Anton Izhakevich dhe Ksenia Dmitrenko. Sipas tij ata kanë reaguar duke u shprehur se projekti i tyre është vjedhur në Shqipëri.

Po kështu edhe arkitektja Ira Miroshnikova e studios ukrainase “Forma Architects”, që ka bërë projektin e parë  ka reaguar pas prezantimit të projektit për Teatrin Kombëtar në Tiranë. Ajo ka publikuar fotot krahasuese mes dy projekteve dhe shkruan me ironi se nuk beson që ngjashmëria tepër e madhe. “Rastësi? Nuk e besoj…”, shkruan ajo teksa poston edhe fotot krahasuese mes dy projekteve.

 

Nëse i bëjmë një krahasim të dyja projekteve ka një ngjashmëri të madhe edhe tek numri i sallave, të dyja kanë nga dy të tilla. Po kështu teatri në të dyja projektet ndodhet brenda qendrës tregtare. Identike  janë të dyja projektet në pamje të parë, dy godina si dy pika uji.

A është një projekt i vjedhur projekti i Teatrit Kombëtar që Rama prezantoi? Pse Rama e shiti si punë të arkitetit danez nëse rezulton e vërtetë që është vjedhur si projekt? A janë dhënë para për këtë studio ligjore nëse projekti është i vjedhur? Fotot e mëposhtme dhe sqarimet nga të dyja projektet ngrejnë shumë dyshime. Qeveria Rama për këtë ‘sukses’ të tij duhet të japë shpjegime./Hashtag.al

FOTOT NGA TË DYJA PROJEKTET:

Projekti për Teatrin Kombëtar:

Projekti për Korenë e Jugut:

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto