Templates by BIGtheme NET

The Economist: 3 pikat pse ideja Thaçi-Vuçiç për shkëmbimin e territoreve nuk do ndodhë

Në muajin gusht, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftuan në një konferencë në Alpabah, Austri, se do të shqyrtonin ndryshime të kufijve, si pjesë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, kusht për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian, përcjell Gazeta Express.

Një ndryshim kufijsh mes Kosovës e Serbisë prej kohësh hidhej poshtë nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vijë e kuqe që, nëse do të shkelej, rrezikonte të ringjallte konfliktin etnik, por komentet e bëra gjatë gushtit, nga zyrtarë të BE-së dhe të SHBA-së, u duk se sinjalizonin një ndryshim të qëndrimit, shkruan The Economist.

Megjithatë, revista prestigjioze britanike parashikon se një ndryshim kufijsh Kosovë-Serbi nuk do të ndodhë gjatë periudhës së viteve 2018-2022.

The Economist “beson se një propozim i tillë do të përballej me kundërshtime të fuqishme brenda Qeverisë së Kosovës, dhe nga vendet si Gjermania dhe Britania e Madhe, dhe se do të paraqiteshin vështirësi të konsiderueshme për të arritur pajtim për specifikat e kufijve të rinj”.

“Parashikimi ynë kyç është se një ndryshim kufijsh nuk do të ndodhë. Këtë e arsyetojmë në tri pika. E para, ka kundërshtim të gjerë në Kuvendin e Kosovës, si në mesin e partive në pushtet, ashtu edhe në mesin e atyre opozitare, për një hap të tillë. E dyta, do të shfaqeshin vështirësi të konsiderueshme për arritjen e një marrëveshjeje për specifikat që do të kënaqnin udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, dhe popullatat e prekura; për shembull, shumica e serbëve në Kosovë jetojnë në jug dhe në lindje, zona që nuk përfshihen në propozimin për ndryshim kufijsh. Përfundimisht, kundërshtimet e vazhdueshme nga Gjermania dhe Britania e Madhe përbëjnë një kundërpeshë ndaj mbështetjes së dukshme nga zyrtarët e BE-së, SHBA-ja dhe Rusia”, shkruan The Economist.

Propozimi për ndryshim kufijsh mund të jetë vetëm një taktikë negociuese nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, për të përgatitur BE-në dhe votuesit në vendet e tyre për një marrëveshje më modeste dhe më të arritshme Kosovë-Serbi, vlerëson revista britanike.

Për aq kohë sa anëtarësimi i Serbisë në BE mbetet i largët, The Economist ka thënë se nuk pret që Vuçiç të rekomandojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, të cilën e kundërshtojnë shumica e serbëve.

 

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto