Templates by BIGtheme NET

Protesta kundër korrigjimit të kufijve, Vetëvendosje e vetme, nuk mbështetet nga partitë e tjera

Lëvizja Vetëvendosje duket se do të mbetet e vetme në protestën e 29 shtatorit, kundër qëndrimeve të fundit të Presidentit Hashim Thaçi. Ndërsa pritej që asaj t’i bashkohej edhe Lidhja Demokratike, kjo e fundit tha të shtunën se nuk do ta mbështeste protestën.

Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së, u shpreh: “Nëse vjen puna që duhet përmes protestave të tregojmë vullnetin tonë, ne do të marrim vetë përsipër këtë aktivitet dhe do të ftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës që të na bashkohen në këtë demonstrim paqësor”.

Për protestën ka reaguar edhe vetë Presidenti Thaçi. Sipas tij, nuk është në interes të askujt të protestohet kundër bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën: “Nuk mendoj se është në interes të askujt që të protestohet kundër bashkëngjitjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, veçanti prej atyre që flasin për të drejtat e shqiptarëve. Unë mendoj që duhet të punojmë të gjithë bashkë për bashkëngjitjen e kësaj treve me Kosovën, e jo të protestohet kundër Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”.

Në një linjë është edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli: “Protesta dhe energjia të cilën e kemi ndaj individit, për besë nuk i bënë hajër Kosovës. Nuk duhet të merremi me individin. Unë do t’ju bëja pyetje juve: Pse opozita nuk na ka thirrur për një protestë kundër fjalorit të Aleksandër Vuçiçit?”

Kundër protestës së paralajmëruar nga Vetëvendosje janë shprehur edhe parti të tjera opozitare.

 

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto