Templates by BIGtheme NET

Një mijë e një pisllëqet në prapaskenën e teatrit

Nga Ergys Mërtiri

Një mijë e një pisllëqet në prapaskenën e teatrit Lufta për teatrin ka ekspozuar haptazi tërë poshtërsitë e kësaj qeverie. Mashtrimi, propaganda, arroganca, kërcënimet, miklimet, hilet, sulmet nën brez, përçarjet, por edhe pazaret e pislleqet kanë qenë instrumentet e përdorura vazhdimisht nga Rama e Veliaj përgjatë gjithë këtij kalvari protestash.

Mashtrimi

E nisën që në fillim me mashtrim, me këmbë të “mbarë”! U tha se nuk do ndërtohet asnjë pallat për teatrin e ri, se ne po shpifim e po reagojmë pa ditur gjë, se jemi histerikë etj. Doli që, jo një, po 6 kulla do ndërtohen në këmbim të tij, dhe kompanisë ndërtuese po i fallen 8 mijë metra truall në qendër të Tiranës. U tha se godina e vjetër ishte e parestaurueshme, ndërsa sot çdo arkitekt që nuk është nën hyqmin e qeverisë thotë të kundërtën! U tha se materialet e ndërtimit të godinës ekzistuese kanë asbest dhe qendrimi aty shkakton kancer, – u përdorën edhe të vdekurit, duke thënë se u sëmurën nga teatri, – ndërkohë që në realitet godina nuk ka asbest. U tha se godina është në prag të shembjes dhe se mjafton një tërmet 4 ballë për ta rëzuar, ndërkohë tërmeti ra dy here, e madje me rreth 6 ballë ndërsa godina as nuk lëvizi vendit.

Përçarja

Menjëherë pas fillimit të protestës, qeveria lëshoi larot e saj, artistë të oborrit, të fyejnë e sulmojnë kolegët e tyre. Një tufë syresh janë shprehur vazhdimisht gjatë këtyre muajve kundër kolegëve të tyre, madje edhe me tone të ashpra, pasi, sipas tyre, po pengojnë ndërtimin e “tempullit” të ri që ata mezi po e presin.

Kërcënimi

Ndërkohë një tufë artistësh janë kërcënuar me bukën e gojës për të mos ardhur në protestë e madje për t’u prononcuar kundër saj. Aktorët vetë kanë rrëfyer se kanë marrë mesazhe kërcënuese për heqje nga puna të të afërmve të tyre. Ata janë kërcënuar edhe me hartimin e një ligji të ri, i cili i jep qeverisë pushtet të plotë mbi çdo vendim që merret për teatrin, që nga fondet, e gjithçka tjetër që ka të bëjë me organizimin dhe shfaqjet e tyre. Gjithashtu ka pasur edhe sulme e kërcënime individuale, siç iu bë aktorit Mirush Kabashi, me argumente banale, të cilat natyrisht që e demotivojnë njeriun për të rezistuar. Ndërkohë, paralelisht kërbaçit, politika e kulaçit bëhet efektive, duke ofruar projekte, poste e mundësira, për artistët me “sjellje të mira”. Me këto mjete, kanë arritur të “bindin” shumë prej tyre, që ta faqen bëjnë faqen shollë, duke kaluar nga kampi pro teatrit, në oborrin e qeverisë. Kalimi i ylberit bëhet i lehtë kur shoqërohet me “bujarinë” e pushtetit.

Përdorimi i artistëve

Në mënyrën më të paskrupullt artistët janë përdorur mish për top, duke i detyruar të nxijnë fytyrën e tyre në aktivitete të turpshme në mbrojtje të pushtetit kundër kolegëve të tyre. Ata janë përdorur në mënyrën më të turpshme për propagandë nëpër tryezat e organizuara prej qeverisë dhe bashkisë, ku ata janë detyruar të pozojnë buzëqeshur e mirënjohës ndaj Lali Erit dhe Edi Ramës, dhe njëkohësisht, hatërmbetur e atakues ndaj kolegëve të tyre që mbrojnë teatrin. Ata u vunë paturpsisht të nënshkruajnë një peticion drejtuar Presidentit të Republikës për dekretimin sa më shpejt të të ligjit për teatrin. Ata u nxorrën gjithashtu si lolo, të vizitojnë stadiumin e ri në ndërtim, për të hapur sytë e për t’u bindur sesa mirë e bukur di të punojë Lali Eri, në mënyrë që të mos kenë asnjë dyshim tek ndërtimi i teatrit të ri. Dhe ata vërtetë mbetën të mahnitur, thua se ishte hera e parë që vizitonin një kantjer ndërtimi! Erion Veliaj shkoi deri aty sa i festoi ditëlindjen në 78 vjetor, Reshat Arbanës, duke pozuar krah për krah me të gjatë gjithë festës. Bashkia nuk u kujtua kur z. Arbana mbushi 70 apo 75 vjeç, por u kujtua kur mbushi 78.

Manipulimet

Rama e veliaj nuk kanë hezituar të shkojnë deri në manipulime listash me emrat e aktorëve dhe regjisorëve, duke luajtur me dinjitetin e tyre. Janë falsifikuar e manipuluar qendrimet e Piro Manit, Pavlina Manit, Enver Petrovcit, Esmeralda Metkas, Stefan Çapalikut duke i futur në lista pro qeverisë, të dërguara deri në KE, të cilat janë zbuluar më pas dhe janë denoncuar nga vetë artistët. Natyrisht, vargu i pisllëqeve të tyre gjatë këtyre muajve është mjaft i gjatë, nëse do ti përmendim një nga një, por sidoqoftë, kaq na mjafton për të kuptuar se me çfarë lloj mosntrash kemi të bëjmë. Të gjitha këto, janë tregues të nivelit shokues të mungesës së skrupulozitetit që karakterizon Ramën dhe Veliajn. Aftësia e tyre për të mos e njohur turpin dhe sedrën është e frikshme. Njerëz të tillë janë në gjendje të bëjnë gjithçka, monstruozitetin më të paimagjinueshëm dhe me ndërgjegje të plotë! Gjithsesi do vazhdojmë të jemi çdo ditë në shesh, duke u përballur me të gjitha poshtërsitë dhe inskenimet që kjo racë pushtetarësh do të vazhdojë të bëjë! Jam i bindur se në fund ata do të jenë të humburit!

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto