Templates by BIGtheme NET

Modriç lojtari më i mirë në FIFA, zbulohet si votuan Messi dhe Ronaldo

Në mbrëmjen gala të zhvilluar të hënën në Londër, ashtu sikurse pritej Luka Modric u shpall futbollisti i vitit edhe nga FIFA, ndërsa pak ditë më parë e mori këtë çmim edhe në Champions League.

Ndërkohë janë zbuluar votat e dy figurave që vitet e mëparshme ishin në garë me njëri-tjetrin për këtë çmim, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Interesant mbetet fakti që pavarësisht konkurencës mes tyre, Messi ka dhënë një njëpikësh për Ronaldon. Po ashtu Messi kishte dhënë pesë pikë për Modriçin dhe tre pikë për Kylian Mbappe, shkruan skysports.com.

Nga ana tjetër Ronaldo nuk e ka llogaritur fare Messin, por ka votuar pesë pikë për Raphael Varane, tre pikë për Modriçin dhe një për Antoine Griezmannin.

Në këtë mbrëmje, nuk doli pa trofe edhe Salah, i cili rrëmbeu çmimin “Puskas” për golin më të bukur të shënuar në ndeshjen Liverpool Everton.

Thibaut Cortouis portieri i Realit të Madridit dhe i Belgjikës u zgjodh portieri më i mirë i vitit duke mposhtur konkurencën e francezit Lloris dhe danezit Schmeichel.

Futbollistja më e mirë femër u shpall braziliania Marta që luan në SHBA me Orlando Pride. Trajneri më i mirë i futbollit të femrave u shpall tekniku i Lyon Reynald Pedros, fitues i Champions League me skuadrën franceze. Në garë me Pedros ishin edhe dy trajneret femra Asako Takakura dhe Sarina Weigman.

Çmimin e fansave më të mirë e fituan tifozët e Perusë për mbështetjen që i dhanë skuadrës së tyre në Kupën e Botës jo vetëm në stadiumet e Rusisë por edhe në sheshet e qyteteve kryesore të vendit, me fansat që lanë edhe punën e tyre vetëm e vetëm për të mos humbur ndeshjet e ekipit përfaqësues që rikthehej në një Kupë Bote pas 36 vitesh mungesë.

Çmimin fair-play e fitoi gjermani Lennart Thy që sezonin e kaluar humbi një ndeshje shumë të rëndësishme të Eredivisies mes skuadrës së tij në atë periudhë Venlo dhe PSV Eindhoven pasi bëri gjestin fisnik teksa i dhuroi gjak një pacienti me leuçemi që kishte nevojë urgjente. Formacioni më i mirë i vitit FIFA FIFPro ishte ky: De Gea, Dani Alaves, Varane, Sergio Ramos, Marcelo, Modric, Kante, Hazard, Messi, Kylian Mbappe, Cristiano Ronaldo.

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto