Templates by BIGtheme NET

Çudia nuk ka për të zgjatur vetëm 3 ditë!

Nga Desada Metaj

Dje…

“Dhuna ndaj vajzës është e pafalshme!Po aq i pafalshëm është abuzimi politik me vajzën. Policia ka bërë detyrën pa i bërë asnjë favor djalit të deputetit. Ata që hungërrijnë si derra në llucën e gërrgërreve politike e mediatike po ridhunojnë vajzën. Për ne askush s’është mbi ligjin.“- shkruan Rama në twiter

Sot…

“Ndryshe nga ata që dje u bënë mburojë e të kërkuarve nga drejtësia duke i hapur luftë prokurorisë dhe sot po ridhunojnë vajzën për politikë, ne mbështesim drejtësinë e barabartë për të gjithë gjithmonë. Inkurajoj prokurorinë të mos ndalet deri në fund #eGjithëVëmendjapërVajzën”, shkruan kryeministri.

Nëse një ditë më parë kryeministri ka vlerësuar punwn e policisë për rastin e vajzës së dhunuar nga djali i deputetit socialist, sot inkurajon prokurorinë të kryejë veprimet në bazë të ligjit. Inkurajon të njëjtën prokurore që nuk bëri asnjë veprim për 3 denoncimet e vajzës muaj më parë, qe zvarriti procesin dhe e la të dhunuarën pa mbrojtje. A mund të shpjegojë kryeministri ose dhe ministri Brendshëm pse  pas 3 muajsh dhe një zvarritje skandaloze arrestohet Rexhep Rrahja ditën kur ky skandal ka marë përmasa të mëdha dhe tashmë askush nuk mund ta fshehë dot më papërgjegjshmerinë dhe presionin e politikës për një rast flagrant dhunimi.

A mundet që një arrestim selektiv si ky i sotmi pas një jehone të madhe në rrjetet sociale dhe media të bindë qytetarët se pas kësaj nuk do të ketë më njerëz me pushtet që qëndrojnë mbi ligjin? A është arrestimi i sotëm një kapitullim i kryeministrit përballë presionit publik, ndërsa një ditë më parë e trajtoi ngjarjen si të përdorur politikisht dhe vlerësoi punën e bërë nga policia këto 3 muaj?

Ndoshta protesta e lajmëruar dhe reagimi i fortë i opinionit publik e kanë bërë Edi Ramën te reflektojë e të kuptojë që strategjia “çdo gjë harrohet ditën e tretë”  nuk funksionon këtë herë. Mbase kryeministri mendon se shqiptarëve nuk u bën më kaq shumë përshtypje skandali i radhës së një deputeti të mazhorancës me lidhje kriminale dhe i favorizuar nga drejtësia. Ndoshta strategjia e tij për të tërhequr vëmendjen tek komisar Emiljano Nuhu që denoncoi skandalin nuk funksionoi këtë herë si me rastin e Zaganit. E duke përdorur arrestimin e “përgatitur” të djalit të deputetit të tij, ndoshta mendon dhe shpreson se jehona do të shuhet dhe drejtësia e munguar për rastin e Xhesila Malokut do të vihet në vend. Pa u thelluar njëherë të vetme në pyetjen : “Duhet të denoncohen publikisht skandale të tilla që të kuptojmë se në ç’nivel është policia shqiptare?”…. Apo duhet të ndodhin skandale të përmuajshme që të njihemi me një tufë deputetësh që janë mbi ligjin, ndajnë miqësi dhe kohë me banditë dhe në rastin më të keq, të dhunojnë e të detyrojnë të mbyllësh gojën.

Edi Rama nuk mund t’i shmanget përherë përgjegjësisë për zgjedhjen që i ka bërë deputetëve dhe bashkëpunëtorëve të tij duke bërë batuta apo akuza për opozitën apo median. Tashmë të gjithë e kanë kuptuar se krimi dhe politika jetojnë bashkë sepse ai që është në krye i frymëzon dhe i mbron këto lidhje. Por mbase kur një ditë politika t’i rikthehet misionit të saj të vërtetë, krimi do t’i mbesë “peshqesh” atij që e solli atë më afër politikës së askush tjetër më parë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Opinion.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto