Templates by BIGtheme NET

Kryeministrit filozof: Fajin për skandalet e kemi ne që i denoncojmë

Blog-Autor: Ergys Mërtiri

Pasi njerëzit e tij e kanë masakruar, kërcënuar, shantazhuar e terrorizuar vajzën, Edi Rama del sot dhe loton për të, duke dënuar politizimin e çështjes së saj.

Sipas tij, Xhisiela po gjen drejtësi dhe mbrojtje nga shteti, por nuk po gjen rehat nga ata që e denoncuan ngjarjen e saj, si dhe nga ne të tjerët që alarmohemi mbi gjendjen e tmerrshme ku ndodhet ky shtet.

Ky njeri ka të gjithë aftësitë për të kontrolluar pigmentet e ngjyrës së lëkurës në fytyrë, sa ta trajtojë agresorin si viktimë dhe viktimën si agresor.

Sipas tij, kur ti terrorizohesh nga i biri i një deputeti që merret në mbrojtje nga policia dhe nuk ke dot mundësinë as ta denoncosh, kjo është një dramë private e jotja që nuk ka të bëjë aspak me politikën!

Kur ti reagon ndaj një deputeti që të ka rënë poshtërsisht në qafë, je duke bërë politikë. Kurse ky që fsheh provat dhe ndërsen të gjiithë armatën e langojve të tij në media, kundër një oficeri që po denoncon rastin, nuk po bën politikë.

Pyetjes se përse nuk arrestohet edhe babai deputet, si njeri që po mbron krimin e të birit, Rama i përgjigjet në stil anglez, se arrestimet i bën prokuroria dhe jo qeveria, sikur askush në këtë vend nuk e di sesi u zgjodh Arta Marku dhe për hesap të kujt po punon.

Ndërkohë Rama bën sikur nuk ka një mendim mbi deputetin e tij dhe nuk ka tagër që ti kërkojë babait të kriminelit të dorëhiqet apo të dorëzojë të paktën imunitetin, që të mund të hetohet si gjithë të tjerët.

Sipas Kryeministrit, djali i deputetit nuk është trajtuar në mënyrë preferenciale dhe shkarkimin e Çitozit nga puna e shet për fakt se policia po punon mirë. Në fakt, Çitozi u shkarkua vetëm pasi çështja shpërtheu në media, e pasi qeveria u vu në shenjestër nga të gjithë.

Po të mos ishte denoncimi i Nuhut, Çitozi do ishte në detyrë, deputeti Raja dhe i biri do vazhdonin të ishin të pacënuar si bosë të zonës, ndërsa vajza e dhunuar do vazhdonte të ishte nën thundrën e një halabaku bastard që e shpaloz gangsterrllëkun e babit mbi femra të pambrojtura.

Çitozi është vetëm koka e turkut. Asnjë hetim nuk ka nisur ende mbi drejtuesit e komisariatit, per të cilët kemi dëshminë e Çitozit dhe Nuhut, se janë vënë në dijeni për gjithçka, nuk kemi asnjë hetim për strukturat që nuk i kanë ofruar mbrojtje vajzës dhe oficerit të policisë që pretendon se është kërcënuar, e madje, nuk kemi asnjë përgjegjësi as nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, e as nga vetë ministri, që janë vënë në dijeni nga Nuhu mbi të gjitha këto dhe nuk kanë bërë asgjë.

E megjithatë, fajin këtu, sipas Edi Ramës filozof, e kemi ne që denoncojmë, ne që e politizojmë çështjen dhe kërkojmë përgjegjësi për veprimet e një deputeti! Me këtë sofizëm dyleksh, qeveria tregon se nuk po gjen as barishte për tu mbajtur, pasi qelbi i skandaleve po iu plas e riplas në duar, hap pas hapi.

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto