Templates by BIGtheme NET

Maqedoni, Gjykata e Apelit lë në burg ish-kryeministrin Gruevski

Është konfirmuar dënimi me burg prej dy viteve për Nikolla Gruevskin. Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë ankesën e ish kryeministrit dhe e konfirmoi vendimin e gjykatëses Dobrilla Kacarska. Gruevski lajmin se duhet të vuaj burgun për furnizimin e “Mercedesit të blinduar” e mësoi në sallën e gjykatës ku gjykohet për rastin tjetër “Titanik”, për parregullsi zgjedhore.  Gruevski tha se para një muaji ka paralajmëruar se Apeli do të marrë vendim të diktuar politik.

Siç e dini, bëhet fjalë për ndjekje politike, për proces të montuar politik që po zhvillohet. E vetmja gjë që ka ndryshuar nga ajo konferencë shtypi ishte se e anuluan për pas referendumit në vend që të bëhet para referendumit, siç ishte planifikuar atëherë. Pjesa tjetër është e njëjtë”- u shpreh Nikolla Gruevski , ish kryeministër.

Gruevski ende nuk është konsultuar me avokatët, por paralajmëroi se do t’i përdorë të gjitha metodat juridike në dispozicion. Megjithatë, ishte i prerë se nuk do të bëj pazare dhe t’i shpëtojë burgut duke votuar “Për” ndryshime kushtetuese dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës.

Jo, nuk do t’i mbështes ndryshimet kushtetuese. Nuk mund ta tradhtoj popullin. Populli e tha fjalën e vet”- tha Nikolla Gruevski , ish kryeministër.

Nga Gjykata Penale sqaruan se në momentin që do ta marrin vendimin nga kolegët e Apelit, përmes sistemit AKMIS, në mënyre elektronike do të dërgohet tek gjykatësi për zbatimin e sanksioneve që të përpilojë vendimin për të shkuar në burg.

Sipas dispozitave ligjore, gjykatësi për zbatimin e sanksioneve përpilon vendimin të cilin e dorëzon tek personat e gjykuar në lëndë dhe të njëjtit, pas pranimit, janë të obliguar vullnetarisht të paraqiten për realizimin e sanksionit të shqiptuar”- theksojnë nga Gjykata Penale.

Apeli përveç vërtetimit të dënimit me burg për Gruevskin, ka ulur aktvendimin e shkallës së parë për ish ndihmës ministrin e Brendshëm Gjoko Popovskin, prej 6 vite e gjysmë burg në 4 e gjysmë. Për ish kryeministrin në lojë mbeten disa opsione. Të kërkojë anulimin e dënimit me burg me arsye të theksuar saktësisht ose të kërkojë që Gjykata Supreme në krye me Jovo Vangellovskin, kumbar i Trajko Veljanovskit i cili ishte bashkëpunëtor shumëvjeçar i Gruevskit, ta rishqyrtojë aktvendimin e plotfuqishëm. Megjithatë, ankesa eventuale pranë gjykatës më të lart nuk mund të ketë shkak që të prolongohet vuajtja e dënimit me burg, përveç nëse ka probleme serioze shëndetësore, vdekje ose sëmundje të rëndë në familjen më të ngushtë, si dhe nëse është e nevojshme të ruajë fëmijë apo persona të plogësht.

Burimi: Alsat-M

 

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto