Templates by BIGtheme NET

Për herë të parë por jo të fundit

Nga Ardian Vehbiu

Kur dëgjoj shprehjen “për herë të parë në Shqipëri”, për arritje dhe nisma gjithfarësh, të qena dhe të paqena, më ngrihen qimet përpjetë.

Ngaqë ai/ajo që thotë, me siguri i referohet ndonjë gjëje të vetës, të cilën kërkon ta promovojë me të madhe, dhe jo në bazë të meritave që ka a që mund të ketë, por ngaqë bëhet “për herë të parë.”

Dëshiron me ngulm të hyjë vetë në histori.

Dhe me gjasë nuk i ka hulumtuar mirë arkivat dhe dëshmitë historike – sepse ajo që ka bërë me siguri është bërë edhe më herët, mbase edhe që një shekull më parë.

Madje jo vetëm më herët, por edhe më mirë.

Sepse kjo “për herë të parë” nuk sjell me vete ndonjë garanci: sepse diçka mund të bëhet vërtet për herë të parë, por mund të bëhet shumë keq.

Për shembull, ti mund të përkthesh për herë të parë në shqip nobelistin Bu Xi, por ta përkthesh kaq keq, sa lexuesi t’ia kthejë këtij autori shpinën përgjithnjë.

Prandaj ca gjëra që bëhen për herë të parë mbase ka pasur një arsye që nuk ishin bërë më parë. Për shembull, ngaqë kanë qenë përtej këllqeve tona.

Një arsye tjetër do të ishte: nuk janë bërë, sepse kanë qenë – dhe mbeten – të panevojshme. Për shembull: Mozarti luhet për herë të parë në Shqipëri me një orkestër culesh. Në fakt, culja ka meritat e veta si vegël, por nuk është më e përshtatshmja për muzikën e Mozartit.

Ka edhe gjëra që duhej të ishin bërë me kohë dhe që nuk janë bërë, për turpin tonë. Prandaj, kur më në fund realizohen, nuk është vendi për t’u mburrur: “për herë të parë treni arrin në Gjirokastër.”

Kjo është si të jesh krenar që e bleve më në fund një llambë për komodinën. Sepse duke e trumbetuar si arritje, në fakt je duke i thënë botës se deri atë ditë nuk e kishe pasur.

Nga ana tjetër, kur e thua këtë “për herë të parë” për një sukses tëndin, je duke rrezikuar të fyesh ata që e kanë bërë këtë para teje – dhe t’i fyesh dyfish: duke mos ua njohur punën, dhe duke ua varrosur.

Sepse kjo “për herë të parë” në gojën tënde shpesh ka nevojë për padijen e tjetrit, që të funksionojë. Nuk thua dot: “për herë të parë një urë do të lidhë dy brigjet e Lanës në Tiranë”, sepse këtë mufkë nuk ta ha kush.

Por mund të thuash: “për herë të parë ndërtohet ura mbi përroin e Shpurdhiqit me ndihmën e fondacionit danez Brudte Broer” dhe ta kalosh pa lagur, sepse askush nuk e ka idenë për këtë përrua (me përjashtim të banorëve të anës, që nuk t’i lexojnë ty mburrjet).

Edhe një e keqe tjetër: kur thua, për herë të parë botohet tek ne një monografi e plotë për jetën dhe veprën e patriotit Hilmi Mufiti, dhe harron (qëllimisht ose aksidentalisht) që po për këtë Hilmi Mufiti është botuar para dhjetë vjetësh një monografi po aq e plotë, sërish ke gabuar dyfish: ke hedhur një dyshim të madh mbi integritetin e studimit tënd (ç’dreq hulumtuesi është ai që nuk bën detyrat e shtëpisë?) dhe ke nëpërkëmbur punën e kolegut tënd.

Pa folur këtu për kërcënimin implicit, që i vjen kulturës nga ky shpengim trushkulur; dhe pikërisht që pas dhjetë vjetësh një i tretë do të dalë sërish me një monografi akull të re për jetën dhe veprën e të shkretit Hilmi Mufiti.

Për ca gjëra madje as është nevoja të thuash “për herë të parë”; mjafton t’i biesh rrotull dhe të përpallësh: “për këtë temë nuk ka folur askush deri më sot… me gjithë rëndësinë e saj kritike… por unë…” Pa çka se ai që mund të ketë folur, madje që mund të ketë shkruar edhe libra për të njëjtën temë, është i ulur mu përballë teje.

Ca prej nesh, në fakt, e kanë për turp të pranojnë se kanë pararendës. Janë në profesionin e gabuar. Origjinalitet të këtij lloji synon vetëm vrasësi serial.

Po le ta zëmë edhe se e bëre diçka vërtet për herë të parë: p.sh., ngrite një fabrikë të mushtit, me përpjekjet e tua të paepura.

Edhe nëse është kështu, etiketa e kërkon që t’i lësh të tjerët të ta vënë këtë në dukje – sepse kur e pëllet ti vetë, duket sikur nuk po ta var askush; dhe mburrja jote përfundon si pikëllimi rrethanor i gomarit të lidhur prej orësh tek ullishta.

Prandaj edhe po e mbyll me një sugjerim shumë modest për lexuesin: kur ta ndeshni këtë “për herë të parë”, bëni kujdes: gjasat janë që dikush po bën prostitutën me ju.

*(Shkrimi publikuar me lejen e autorit)

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto