Zbulohen detajet mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Lushnje, ku u ekzekutua me armë ish-kryeplaku i fshatit Shegas.
Sipas policisë, Qemal Alia, u ekzekutua 100 metra larg shtëpisë ndërsa arsyet për të cilat dyshohet se ka ndodhur ngjarja, është përfshirja në një konflikt pronësie. Megjithatë ende nuk ka fakte, kur autorët s’janë identifikuar.
Ish-kryeplaku, fermer dhe pronar i një dyqani fidanishteje, ka qenë i vetëm teksa po kthehej në banesë me makinë, kur u qëllua me disa plumba nga një distancë e afërt. Mendohet se ishin dy persona ata që i bënë pritën.
Si pasojë e plumbave, Alia ka marrë dëmtime në pjesën e fytyrës. Zhurma e të shtënave ka alarmuar familjarët dhe fqinjët të cilët kanë dalë jashtë, ku e kanë gjetur Alian të vrarë.
“Rreth orës 21:45, në fshatin Shegas, Lushnjë, duke udhëtuar me mjetin e tij, rreth 100 m para se të mbërrinte te banesa, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Q.H, 48 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen. Shtetasi Q.H ishte fermer dhe nuk njihet si person me precedent kriminal. Ekspertë të Hetimit të Krimit po hetojnë mbi shkakun dhe zbardhjen e rrethanave ende të paqarta”, thuhej në njoftimin e policisë.
Edhe pse në vendngjarje mbërritën forca të shumta Policie nga Komisariati i Lushnjës, Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe FNSH Fier, nuk kishte asnjë person të ndaluar si të dyshuar.
Sipas grupit hetimor, ekzekutimi i ish-kryeplakut mund të ketë lidhje me detyrën e tij që ka mbajtur para 10 vitesh, kur është përfshirë në zgjidhjen e disa konflikteve pronësie mes fermerëve. Një pistë tjetër mbetet ajo e konkurencës, për shkak të dyqanit.