Vendosni fjalën kyçe....

2 orët e tensionuara që çuan në shkarkimin e drejtorit të Burgjeve


Enrik Sulejmani, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve, u shkarkua dje nga detyra.

Sipas ministres së Drejtësisë, Gjonaj, shkarkimi i tij kishte ardhur për shkak se Sulejmani dështoi që të transferonte në spitalin e burgut, Ervis Martinajn, i cili u plagos në përplasjen me armë që ndodhi në Bllok para pak ditësh.

Ndër personat e përfshirë në përplasjen me armë emri më i njohur është padyshim ai i Ervis Martinajt. Ai u plagos nga një plumb në qafë dhe pas ngjarjes shkoi vetë me shpejtësi në spitalin e Traumës ku mori ndihmën e parë dhe prej këtej në “Spitalin Amerikan 2”.

Gjatë kohës kur policia ka shkuar te spitali privat për të marrë Martinajn e për ta dërguar në spitalin e burgut, ka pasur një përplasje mes mjekëve të spitalit, rojeve private dhe forcave të rendit.

Përplasja e ashpër ka zgjatur për rreth 2 orë, kohë në të cilën policia nuk ka mundur dot që ta nxjerrë Martinajn nga dhoma e spitalit privat.

Mjekët kanë refuzuar të nxjerrin nga spitali Martinajn, pasi sipas tyre ai kishte ende nevojë për trajtim të specializuar dhe kjo ka çuar në përplasjen që ka zgjatur rreth 2 orë. Më pas Martinaj është transferuar vullnetarisht në spitalin e burgut.

2 orët ku policia nuk mundi të marrë Martinajn nga spitali privat te ai i burgut, i kanë kushtuar vendin e punës drejtori të Përgjithshëm të Policisë së Burgjeve, Sulejmani.

Përplasja me armë e para pak ditëve në Bllok, i kushtoi jetën Fabiol Gaxhës, ndërsa të plagosur mbetën Eljon Hato dhe Ervis Martinaj. Në kërkim për ngjarjen e rëndë janë shpallur Ervin Mata, Mevjol Bilo dhe Fabio Alushi, ndërsa policia ka shpallur në kërkim edhe këngëtaren Elvana Gjata, që është larguar jashtë vendit. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *