Sot do të zhvillohet marshimi i artistëve drejt Presidencës në lidhje me ligjin e teatrit.
Qytetarë, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe artistë do të marshojnë në orën 18:00 të ditës së sotme, për të kërkuar që të mos shembet godina e Teatrit Kombëtar.
“Të enjten marshojmë drejt Presidencës, për t’i kërkuar Presidentit të rikthejë edhe një herë versionin e ri të “ligjit special” si anti-kushtetues e kundra parimeve të ndërtimit të shtetit.”, kjo është thirrja që qytetarët bëjnë.
Grumbullimi i njerëzve do të bëhet te sheshi i teatrit, për të vazhduar më pas marshimin drejt presidencës.
Muajin e kaluar, kryeministri Rama dhe mazhoranca socialiste kanë votuar me 75 vota pro, për prishjen e Teatrit Kombëtar, edhe pse për muaj me radhë, artistë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile ka protestuar kundër kësaj ideje të dhënies përparësi privatit dhe jo pronës publike.
Opozita e ka kundërshtuar votimin e ligjit për prishjen e Teatrit Kombëtar duke e cilësuar atë si anti-kushtetues dhe si ligj që grabit hapur pronën publike që i përket teatrit dhe ia jep atë kompanisë “Fusha”, që në këmbim të ndërtimit të teatrit të ri kombëtar, do përfitojë tokën publike ku do ndërtohen 7 kulla.