Pasditen e djeshme, tre persona humbën jetën në Mat pasi u qëlluan me armë zjarri. Ata janë: Mentor Hoxha, Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi.
Këta persona u qëlluan nga kryetari i Partisë Socialiste në Mat, pas një debati që ai kishte me punonjësit e bashkisë, të cilëve u ka kërkuar të shtronin rrugën deri në shtëpinë e tij.
Mirëpo pavarësisht përmasave të rënda të krimit të kryer nga i besuari i tij në Mat, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Socialiste, nuk ka thënë ende asnjë fjalë mbi ngjarjen.
Edhe pse ka kaluar një ditë, Rama vazhdon të interesohet për aktivitetet rutinë të qeverisë së tij.
Me mëngjes Rama fton ndjekësit e tij në Facebook, të marrin pjesë në panairin për fermerët që do të mbahet sot dhe nesër në kryeqytet.
“MIRËMËNGJES
dhe me këtë ftesë për të mos humbur edicionin e dytë të Panairit “Shqipëria Punon Tokën” që do të mbahet sot dhe nesër në sheshin Nënë Tereza, ku do të mund të shihni e shijoni produktet më të mira shqiptare të më shumë se 729 fermerëve e sipërmarrësve nga i tërë vendi, ju uroj një ditë të mbarë.”, shkruan Rama, i cili ka publikuar edhe një video.
Kujtim Koxha, i cili ka qenë kryetari i Partisë Socialiste në Mat deri në muajin Janar, qëlloi dje me automatik brenda një lokali zyrtarët Mentor Hoxha, Astrit Hani, Erzen Alija dhe Hamit Buçi, tre nga të cilët humbën jetën.
Astrit Hani, po merr mjekim në spitalin e Burrelit jashtë rrezikut për jetën. Koxha është arrestuar rreth një orë pasi kreu krimin.
Mësohet se 2 nga viktimat janë punonjës të bashkisë Mat, konkretisht Mentor Hoxha shofer fadrome ndërsa Erzen Aliaj shofer kamionçine. Ndërsa viktima e tretë Hamit Buçi ishte banor i zonës.
Gjithçka kishte nisur pas një debati, pasi Kujtim Koxha u kërkoi punonjësve të bashkisë, të shtronin një rrugë deri pranë banesës së tij. Në një moment shoferi i kamionçinës, Erzen Aliaj ka debatuar jashtë lokalit me Kujtim Koxhën dhe e ka qëlluar me shuplakë, ndërsa ishte në gjendje të dehur.
Kryetari i PS-së në Mat, ka shkuar në banesë, ka marrë armën automatik dhe është kthyer në lokal duke qëlluar punonjësit e bashkisë që po konsumonin drekën.