Disa ministra britanikë po kërcënojnë të japin dorëheqjen, si pasojë e lëshimeve që kryeministrja Theresa May po përgatitet të bëjë për Bashkimin Evropian në lidhje me “Brexit”-in.
Mediet britanike raportojnë për një revoltë në rritje në qeveri, përpara samitit që do të mbahet në Bruksel javën e ardhshme, e që ka si qëllim të përcaktojë detajet e divorcit dypalësh.
Po ashtu, ka pasur kërcënime edhe nga aleatët irlandezo-veriorë të Mayt për të tërhequr mbështetjen, gjë që do ta detyronte kryeministren të përballej me një mocion mosbesimi, që do të çonte sipas të gjitha gjasave në zgjedhje të parakohshme. Sipas gazetave britanike, të paktën dy apo 3 ministra mund të japin dorëheqjen, nëse May do të bëjë lëshime, veçanërisht për problemin e kufirit irlandez dhe mbajtjen hapur të tij, pasi Britania të dalë zyrtarisht nga blloku evropian më 29 mars të vitit të ardhshëm.