Javën e kaluar, makina e propagandës së qeverisë mori superxhiro: Një profesor i Harvardit shkruajti për “mrekullinë” ekonomike që po përjetonte Shqipëria. Siç kemi shpjeguar më parë, Ricardo Hausmann, Drejtori aktual i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar (CID) pranë Shkollës së Qeverisjes Kenedi në Harvard, nuk ka arritur në këtë përfundim si pasojë e hulumtimeve të përpikta akademike—prej katër vjetësh ai është paguar në mënyrë të vazhdueshme për shërbime këshillimi për Kryeministrin Rama nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur, organizatë e lidhur ngushtë me qeverinë Rama. Shkrimi i një artikulli të tillë propagandistik është thjesht qershia mbi tortë e këtij shërbimi të paguar këshillimi.
Për fat të keq për kredencialet e Zotit Haussman dhe financuesve të tij, zor se mund të kishte bërë një punë propagandistike më të keqe se ky artikull. Shumë prej pretendimeve të ngritura prej tij anë të pabazuara, pa asnjë të dhënë apo fakt për t’i mbështetur. Për më tepër, teoria e rritjes ekonomike, e cila është fusha e Zotit Hausmann, do të hidhte poshtë shumë nga përfundimet e nxjerra prej tij edhë nëse do i pranonim këto fakte të paqena.
Është për të ardhur keq, pasi kur Zoti Hausmann sillet si ekonomist i vërtetë, ai është në gjendje të shpjegojë më së miri zhvillimet ekonomike, edhe kur ato janë të pakëndshme për qeverinë shqiptare. Aq e vërtëtë është kjo gjë sa të krijohet përshtypja sikur Zoti Hausmann ka shkruajtur qëllimisht një artikull të dobët për t’i treguar botës se ajo që po shkruante nuk ishte e vërtetë.
Le t’i hedhim një vështrim disa prej pretendimeve të kryesore të tij dhe të shohim se sa lehtë mund të rrëzohen ato nga të dhënat bazë të ecurisë ekonomike të vendit.
Pretendimi i parë i Zoti Hausmann ka të bëjë me aftësitë e financimit të qeverisë shqiptare dhe është i lidhur ngushtë me shitjen së fundmi të eurobondit. Ai pretendon se:
“Pesë vjet më parë, […]aksesi në tregjet e jashtme ishte mbyllur dhe normat e brendshme të interesit ishin në stratosferë.
[Tani]… Në një kohë kur ekonomitë e vendeve në zhvillim, në rajone të ndryshme, si Argjentina, Turqia, Nigeria dhe Afrika e Jugut përballen me rënie të monedhës dhe rritje të normave të interesit, Shqipëria ka normat më të ulëta të interesit në historinë e vet dhe një monedhë që forcohet. Sot, ajo ka riskun më të ulët të bonove në grupin e shteteve të ngjashme me të.”
Këto argumente janë faktikisht të gabuara dhe ekonomikisht të cekëta. Le të fillojmë me normat e interesit të eurobondit. Figura 1 tregon të dhënat mbi normat e eurobondeve për disa vende të Evropës Lindore—është normale që Shqipëria të krahasohet me shtetet fqinje e jo me vendet e Afrikës apo Amerikës Latine. Dy gjëra bëhen menjëherë të qarta nga grafiku.
Së pari, norma e eurobondit më të fundit të Shqipërisë prej 3,5 për qind nuk është me e ulët se sa mesatarja e rajonit. Në fakt, ajo është më e lartë në krahasim me të gjithë vendet e tjera të rajonit. Edhe një pseudo-demokraci e korruptuar si ajo e Malit të Zi, aktualisht gëzon normë interesi më të ulët se Shqipëria, prej 3,4 për qind.
Së dyti, kostot e huamarrjes kanë rënë në të gjithë rajonin dhe Shqipëria është thjesht pjesë e një prirjeje të përgjitshme, dhe jo një lloj “mrekullie”. Ajo që është edhe më zhgënjyese nga ana ekonomike, është arsyeja për këtë prirje të përgjithshme. Kjo nuk ka ndodhur për shkak të ndonjë lloj mrekullie, madje e kundërta është e vërtetë. Kostot më të ulëta të huamarrjes për qeveritë, ndihmuar nga një stimul i fortë monetar nga Banka Qendrore Evropiane pas krizës së eurozonës në vitin 2012, pasqyrojnë mungesë dëshire nga ana e bankave për të ofruar kredi për sektorin privat. Qeveritë po përfitojnë kosto më të ulëta sepse ato janë alternativa e vetme e sigurt për investitorët. Ky nuk është aspak një rezultat i dëshiruar, përkundrazi.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kostot e brendshme të huamarrjes. Zoti Hausmann pretendon se edhe në këtë rast ka ndodhur një lloj mrekullie, pasi më parë qeveria përballej me norma “stratosferike”. Pohim krejtësisht i pavërtetë. Siç mund të shihet në Figurën 2, ku tregohet yield-i (ose norma e interesit) mesatar i bonos 12-mujore të qeverisë shqiptare, prirja ulëse kishte filluar shumë kohë përpara vitit 2013, kur qeveria Rama erdhi në pushtet.
Për fat të keq, shkaqet ekonomike prapa kësaj ulje janë ato për të cilat duhet të shqetësohet vërtet një ekonomist. Rënia e normave të interesit ka ardhur kryesisht për shkak të uljes sistematike të normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë pas krizës së vitit 2008, dhe nga kushtet e përkeqësuara ekonomike që u krijuan më pas.
Në fakt, mungesa e financimit ndaj sektorit privat është bërë shumë problematike. Pas disa vitesh zhvillimi të sektorit financiar, e matur si raport i kredisë private mbi prodhimin kombëtar (PBB), raporti ka pësuar rënie në vitet e fundit, siç shihet në Figurën 3. Edhe në një rajon problematik si Ballkani, nga ku bankat ndërkombëtare po tërhiqen, Shqipëria del në pah si vendi më i dobët, përsa i përket këtoj treguesi.
E gjitha kjo, përsëri hedh poshtë pretendimet e Zotit Hausmann për një “mrekulli shqiptare”. Jo vetëm që ai ka fabrikuar një histori të tërë në lidhje me aftësitë e financimit të qeverisë, por ai duket i pavetëdijshëm edhe për vetë fdukuritë ekonomike që nxisin këto rezultate. Rënia e normave të interesit, prirje e përgjitshme e rajonit, nuk ka ardhur si pasojë e një mrekullie ekonomike, por është rezultati i pritshëm i një periudhe me rritje të ngadaltë ekonomike. Mbase një përsëritje elementare e Ekonomisë Monetare do t’i shërbente jo pak Zotit Hausman.
Pretendimi tjetër i ngritur prej tij është se Shqipëria po përjeton një rritje ekonomike jo të zakonshme. Siç e thotë vetë:
“Pesë vjet më parë, Shqipëria ndodhej në një situatë vërtet ogurzezë. Me Greqinë dhe Italinë në vorbullën e krizës së Euros, remitancat dhe prurjet e kapitalit ishin në rënie dhe ekonomia po vuante prej një ngadalësimi të fortë.
Nxitojmë dhe shkojmë në të tashmen: ekonomia po rritet me një ritëm të fortë prej 4.2 për qind. Cili ishte sekreti i kthesës së Shqipërisë? Së pari, ndryshe nga shumë vende që vonojnë të veprojnë, deri kur është shumë vonë, Kryeministri Edi Rama e thirri FMN sapo erdhi në pushtet në shtator 2013.”
Por a është kjo vërtet e vërtetë? A u përball me të vërtetë Shqipëria me një situatë ogurzezë, e cila u shpëtua mrekullisht vetëm nga ndërhyrja e FMN-së në vitin 2013, të cilën vetëm kryeministri Rama kishte guximin dhe vizionin ta thërriste në ndihmë? Përsëri, të dhënat na tregojnë një histori shumë të ndryshme nga ajo që pretendon Zoti Hausmann.
Nëse shikojmë indekset e PBB-së për vendet në rajon, me vitin 2008 si vit bazë, pra 100, (kjo është një metodë e zakonshme për të krahasuar midis tendencave të rritjes së ekonomike për vende me nivele të ndryshme të PBB-së), vërejmë se kriza financiare goditi më fort Italinë dhe Greqinë, partnerët kryesorë tregtarë të rajonit të Ballkanit, veçanërisht Shqipërisë. Për pasojë, kriza luajti rol në ngadalësimin e pothuajse çdo ekonomie tjetër në rajon. Goditja e dytë në eurozonë në vitin 2012, pjesërisht për shkak të një reagimi të ngadalshëm nga Banka Qendrore Europiane, e cila u kritikua shumë në atë kohë, u ndje shumë, veçanërisht sepse “vrau” dhe ngadalësoi një rimëkëmbje ekonomike të porsalindur në një pjesë të madhe të kontinentit.
Megjithatë, krahasuar me shumicën e vendeve të tjera në rajon, ngadalësimi i Shqipërisë ishte shumë më i vogël. Në Shqipëri, rritja asnjëherë nuk u kthye në negative. Gjithashtu, tendenca e rritjes nuk devijoi aq shumë nga vitet e mëparshme krahasuar me vendet e tjera. Më e rëndësishmja, rritja që po përjetohet, së fundmi, është një prirje e përgjithshme që mund të shihet në të gjithë rajonin dhe përkon kryesisht me daljen nga kriza të Greqisë dhe Italisë.
Ky vështrim elementar i të dhënave tregon se jo vetëm qeë nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj efekti “Rama”, por as me ndonjë ndërhyrjeje të mrekullueshme dhe unike të FMN-së që vetëm Shqipëria e thirri në një kohë të përshtatshme. Është një përmirësim ekonomik rajonal dhe botëror që po tërheq me vete edhe ekonomitë e tjera më të vogla në rajon, madje edhe me rritje më të theksuara se Shqipëria, në disa raste.
Natyrisht, për të qenë intelektualisht i ndershëm, ekziston një dukuri e rëndësishme në këtë mes, që vlen të përmendet. Vendet që patën ecuri më të mirë gjatë krizës së eurozonës, duke përjetuar ngadalësim më të butë (Shqipëria, Bosnja, Kosova dhe Maqedonia), janë gjithashtu vendet më të varfëra në terma absolutë. Aftësia e tyre për të shënuar rritje të mirë ekonomike, gjatë kësaj periudhe, është pjesërisht rezultat i faktit se këto vende kanë hapësirë për t’u zhvilluar më tej. Kjo pasi ato janë ende duke ju afruar nivelit të të ardhurave për frymë të pjesës tjetër të rajonit dhe kontinentit.
Përsëri, kjo dukuri e mirënjohur e teorisë së rritjes ekonomike (e ashtuquajtura “konvergjenca e të ardhurave”) duhet të ishte mjaft e njohur për dikë që punon në këtë fushë si Zoti Hausmann. Por, sërish, duket se ai i harron apo shpëfill dijet bazë të profesionit të tij kur këtë gjë ja kërkon propaganda e paguar.
Pretendimi i fundit i madh që ngre Zoti Hausman është në lidhje me burimin e rritjes ekonomike të kohëve të fundit në Shqipëri. Teksa lexon artikullin e tij, edhe mund të mrekullohesh me burimet e pretenduara.
“Nxitojmë dhe shkojmë në të tashmen: ekonomia po rritet me një ritëm të fortë prej 4.2 për qind. Cili ishte sekreti i kthesës së Shqipërisë? Së pari, ndryshe nga shumë vende që vonojnë të veprojnë, deri kur është shumë vonë, Kryeministri Edi Rama e thirri FMN sapo erdhi në pushtet në shtator 2013.
Në bujqësi, zhvillimi i grumbulluesve ndihmoi fermerët të lidhen me teknologji më të mira dhe tregje më fitimprurëse, duke krijuar kështu një bum në eksportet e perimeve. Po kështu, grupet këshillimore në prodhim dhe turizëm identifikuan fushat ku kishte potencial përmirësimi.”
E gjitha kjo, sigurisht, është pjesërisht për shkak të politikave dhe këshillave të jashtëzakonshme të vetë Zotit Hausmann dhe kolegëve të tij (përndryshe, si mund të justifikohen fondet e përthithura nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur):
“Të këshilluar nga Matt Andrews i Shkollës Kenedi të Qeverisjes së Harvardit, politikë-bërësit përdorën një strategji bazuar në një proces të orientuar drejt problemeve, që fillon duke i pikasur ato, duke identifikuar shkaqet e tyre, dhe më pas duke hartuar një mënyrë për t’i ndrequr.
Ambasadorët e vendit po shfrytëzohen tashmë në një strategji të bashkërenduar për të nxitur investimet e huaja përmes angazhimit të drejtpërdrejtë me kompanitë. Dhe politikë-bërësit tani po angazhojnë diasporën e Shqipërisë.”
Ah! po, një qasje e jashtëzakonshme e identifikimit të problemeve, shkaqeve dhe përpjekjes për t’i ndrequr ato! Sa novatore! Kur përmend edhe diplomacinë ekonomike, si mundet t’i rezistojë kush këtyre fjalëve magjike?
Por, në të vërtetë, çfarë thonë të dhënat për këto pretendime? Siç duket përgjatë gjithë artikullit të tij, Zoti Hausmann nuk i njeh aspak burimet kryesore të rritjes gjatë 4-5 viteve të fundit në Shqipëri, vend të cilit ai supozohet se po i ofron këshilla mbi politikat ekonomike. Të dhënat e vetë INSTAT-it tregojnë se burimi kryesor i rritjes, fillimisht, ishin dy investime të mëdha infrastrukturore të planifikuara dhe filluara disa vite para qeverisë Rama (TAP dhe HEC-i i Devollit).
Vitet e fundit janë karakterizuar sërish nga një rritje në investimet në pasuri të paluajtshme dhe ndërtim. Për fat të keq, ky është një zhvillim problematik. Së pari, bankat shqiptare mbi-financuan sektorin e ndërtimit para krizave të viteve 2008 dhe 2012. Raportet e shkruara gjatë atyre viteve nënvizonin nevojën për të diversifikuar burimet e rritjes në ekonomi dhe për t’ju larguar ndërtimit si një sektor i rëndësishëm. Në fakt, diversifikimi i burimeve të rritjes zinte pjesën më të madhe të fjalimit të Zotit Hausman me ministrat dhe ambasadorët një vit më parë (paraqitur në linkun më sipër). Megjithatë, duket sikur Shqipëria po përsërit të njëjtin fenomen.
Së dyti, ndryshe nga cikli i parë i bumit të pasurive të paluajtshme në vitet 2004-08, cikli aktual nuk po financohet më nga sektori bankar. Siç e pamë më parë, kreditimi i sektorit privat është zvogëluar, dhe ndërtimi është një nga arsyet kryesore. Veçanërisht bankat me pronësi evropiane janë nën udhëzime strikte për t’i qëndruar larg sektorit të ndërtimit. E gjitha kjo ka ngritur dyshime mbi burimin e parave që po furnizon bumin e ndërtimit së fundmi. Nëse është vërtetë pastrimi i parave të drogës ajo që fshihet pas së gjithë këtij zhvillimi, siç po dyshohet gjithmonë e më shumë, z. Hausmann mjafton të shohë Amerikën Latine, të cilën e njeh mirë si shtetas venezuelian, për të kuptuar implikimet ekonomike dhe politike të këtij procesi. Ky proces do ishte shkatërrimtar edhe për ekonominë, edhe për demokracinë e Shqipërisë.
Po diplomacia ekonomike e sapo-fuqizuar nga këshillat e konsulentëve të huaj? Sërish, shumë zhurmë por asnjë rezultat. Shqipëria po dështon prej vitesh në tërheqjen e projekteve të mëdha të investimeve direkte të huaja, biles as nuk ka arritur të ruajë prirjen e saj të mëparshme. Dy projektet kryesore të përmendura më sipër, TAP dhe HEC Devolli , mbeten investimet e fundit të rëndësishme të huaja që Shqipëria ishte në gjendje të tërhiqte, pa pasur fare nevojë për “diplomacinë ekonomike”. Ndoshta përthithja e këtyre investimeve është qëllimi i artikullit të z. Hausman , por deri më tani rezultatet janë inekzistente.
Së fundmi, z. Hausmann ngre disa pretendime të tjera më të vogla lidhur me stabilitetin fiskal, të cilat janë po aq të pabaza, por atyre do ti kthehemi në një moment tjetër. Po e mbyll këtë shkrim duke përsëritur një thënie nga një fitues i çmimit Nobel për të përshkruar fituesin më fundit të tij, i cili ka dhënë kontributin të madh në fushën e rritjes ekonomike dhe zhvillimit:
“Pothuajse kurrë nuk do të keni mundësinë të shihni një ekonomist të cilin akademikët e fushës e konsiderojnë si të rëndësishëm apo interesant. Për shembull, as Robert Lucas, pa dyshim, teoricieni i ekonomisë më me influencë i viteve 1970, as Paul Romer, padyshim teoricieni më me ndikim i viteve 1980, nuk janë shfaqur ndonjëherë në ndonjë program të çështjeve publike.”
– Paul Krugman (1994)
Ka një arsye përse ndodh kjo. Ekonomistët më të sinqertë akademikë, si zoti Romer, ndoshta do t’u thonin qeverive të pasuksesshme se janë ato vetë që po bllokojnë rrugën e zhvillimit dhe progresit për vendet e tyre dhe jo mungesa e disa ideve “të mrekullueshme”.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Exit.al