Vendosni fjalën kyçe....

Washington Post: Turqia posedon dëshmi se Khashoggi është vrarë


“Washington Post” ka publikuar se zyrtarët turq kanë informuar SHBA-të se “posedojnë audio/video xhirime të cilat dëshmojnë se Khashoggi është vrarë”

Gazeta amerikane “Washington Post” së fundmi ka publikuar se zyrtarët turq kanë informuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) se “posedojnë audio/video xhirime të cilat dëshmojnë se gazetari saudit Jamal Khashoggi është vrarë”.

“Washington Post” ka publikuar një artikull me titull “Turqit kanë njoftuar zyrtarët amerikanë se posedojnë audio/video xhirime të cilat dëshmojnë se Khashoggi është vrarë”. Gazeta amerikane, ku Khashoggi punonte si gazetar dhe kolumnist, në këtë artikull citon disa zyrtarë turq dhe amerikanë që kanë kërkuar të mbeten anonim.

Teksti potencon deklaratat e zyrtarëve në fjalë, ku thuhet se “Në xhirime mund të shihet se si më 2 tetor, një skuadër saudite e sigurisë futet në konsullatën në Stamboll, ku fillimisht kapin Khashoggi-n i cili kishte shkuar për disa dokumente. Më pas e kanë vrarë dhe e kanë copëtuar”.

Sipas po këtyre zyrtarëve, po ashtu dhe audio xhirimet, në mënyrë bindëse konfirmojnë pretendimet se skuadra saudite është përgjegjëse për vrasjen e Khashoggi-t.

“Mund të dëgjoni zërin e tij (Khashoggi) dhe zërat e njerëzve të tjerë që flasin arabisht. Mund të dëgjoni se si është marrë në pyetje, pastaj i është nënshtruar torturës dhe më pas edhe është vrarë”, theksohet në deklaratat e publikuara në artikull.

Nuk potencohet nëse zyrtarët amerikanë kanë parë apo dëgjuar xhirimet në fjalë, por nënvizohet se zyrtarët turq kanë informuar SHBA-të për përmbajtjen e xhirimeve”.

Gazetari dhe kolumnisti i gazetës “The Washington Post” Khashoggi u zhduk më 2 tetor, pasi kishte hyrë në kompleksin e kosullatës së Arabisë Saudite në Stamboll. Ai ishte i njohur si kritikues i politikave që udhëheqë Qeveria aktuale saudite.

Zëdhënësi i Zyrës së Presidencës së Turqisë Ibrahim Kalın dje deklaroi se Turqia dhe Arabia Saudite kanë vendosur për ngritjen e një grupi të përbashkët pune me qëllim të ndriçimit të rastit Khashoggi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *