Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, publikoi sot të dhënat e sistemit TIMS, të cilat zbulojnë se kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ka kaluar mbi 25 herë kufirin sëbashku me Edmond Begën, madje që ka udhëtuar në të njëjtin avion me të.
Duke vëzhguar të dhënat e publikuara të sistemit TIMS, rezulton se Taulant Balla dhe Edmond Bego kanë kaluar kufirin në të njëjtën kohë, qoftë përmes ajrit apo përmes tokës, plot 35 herë të cilat janë lehtësisht të identifikueshme përmes këtyre tabelave.
Ndërkohë numri mund të jetë më i lartë pasi kemi përshembull rastin e datës 7 shtator, të vitit 2013, ku Taulant Balla është nisur për Ljubljanë me avion, ndërsa vetëm tre orë më herët, Edmond Bega ishte nisur me charter po nga Rinasi, në një destinacion që nuk jepet në tabelë, që me shumë gjasa do të jetë Ljubljana.
Të dhënat e numrit dy të Partisë Socialiste, paraqiten me inicialet e emrit të tij TB, të rrethuara me të kuqe në rastet kur ka përputhshmëri me Begën.
Ndërsa të dhënat e Edmond Begës, paraqiten me MB – Mond Bega, të rrethuara me të verdhë, në rastet kur ka përpuethshmëri me Ballën.
Duke bërë një vëzhgim, rezulton se Balla dhe Bega, kanë kaluar kufirin në të njëjtën kohë, (disa minuta-1 orë diferencë) për të mbërritur në të njëjtat destinacione: Vjena, Athina, Korfuzi, Parisi apo Mali i Zi.
Destinacioni i tyre më i preferuar duket se ka qenë pikërisht Vjena, plot 17 kalime të identifikueshme, si edhe Athina me plot 13 kalime të përbashkëta të kufirit, nga Kapshtica, Kakavija, Qafë Bota apo përmes aeroportit.
“Deputeti socialist Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit me trafikantin e drogës Edmond Bega me të njëjtin avion, ku destinacioni më kryesor ka qënë Vjena, Athina, Korfuzi, Parisi apo Mali i Zi.”, njoftoi deputeti Salianji, duke iu referuar këtyre të dhënave.
Këto të dhëna të TIMS-it kanë dalë nga PD, ndërkohë që vetë Balla e ka mohuar këtë denoncim. Balla thotë se të hënën do dërgojë padinë në gjykatë.
“Lulzim mjaft e shpërdorove Salianjin me shpifje, për udhëtime 18 herë me chartera. Informacioni është në Albcontrol dhe mund ta merrni. Pse nuk bëni kallzim në Prokurori? Megjithatë faleminderit që po vijon te kontribosh për Fondin e Edukimit. Të hënën padia në gjykatë!”, shkruan Balla. Tanimë u mbetet institucioneve të mbajnë një qëndrim zyrtar mbi të dhënat./Hashtag.al