Diplomohet brezi i shtatë i studentëve të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Në një ceremoni me dhjetra të ftuar nga fusha e arsimit, politikës dhe të bizneseve private, rreth 1000 studentë të niveleve Bachelor dhe Master hodhën kapelet duke mbyllur një nga etapat më të rëndësishme të jetës.
Ceremoninë e hapi rektori i UMSH-së, Akademik Prof.Dr. Gudar Beqiraj, i cili u shpreh se ajo çka Universiteti Mesdhetar përfaqëson sot duket qartë jo vetëm nga numri i studentëve, i cili rritet nga viti në vit, por gjithashtu në investimin që ky universitet bën në përzgjedhjen e stafit akademik, në infrastrukturë dhe gjithçka që u garanton të rinjve të sotëm një edukim cilësor.
Në fjalën e tij përshëndetëse, themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Akademik, Prof.Dr. Anastas Angjeli u shpreh se të diplomuarit në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, janë të punësuar dhe mbajnë deri tek pozicione të rëndësishme në Administratën Publike dhe bizneset private. “Gjatë këtyre viteve ne kemi synuar që studentët tanë, jo vetëm të edukohen siç duhet, por pas përfundimit të studimeve të kenë një diplomë të vlefshme për tregun e punës, në mënyrë që e ardhmja e tyre të jetë e sigurtë”, u shpreh Prof, Anastas Angjeli.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe ish-studentë të Universitetit Mesdhetar, pjesë e rrjetit Alumni, të cilët përshëndetën brezin e ri të studentëve. Drejtuesit e Universitetit Mesdhetar akorduan certifikata mirënjohje për studentët e ekselencës. Pas 10 vitesh nga krijimi i tij Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, kapërcen 4000 të diplomuar në 29 programet bachelor dhe master. Në 3 fakultetet e tij : Ekonomi, Drejtësi e Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Psikosociale e Politike këtë vit pritet të pranohen rreth 1000 studentë në programet Bachelor dhe Master.