Gjatë vizitës së djeshme në Tropojë, Presidenti Ilir Meta përuroi një qendër sociale në qytetin e Bajram Currit.
Sipas një njoftimi nga presidenca, kjo qendër sociale do të strehojë 15 familje të pastreha dhe në kushte të vështira ekonomike, gjashtë prej të cilave i përkasin komunitetit rom.
“Presidenti Republikës, Ilir Meta i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj e të zgjedhur të pushtetit vendor, Ambasadori i Japonisë Makoto Ito, zonja Mariana Graff, deputetë, përuroi një qendër sociale në qytetin e Bajram Currit, që do të strehojë 15 familje të pastreha dhe në kushte të vështira ekonomike, gjashtë prej të cilave i përkasin komunitetit rom.”, thuhet në njoftim.
Meta gjatë fjalës së tij, kujtoi fgurat e njohura që kanë dalë nga Tropoja, në veçanti ish-kryeministrin Berisha, dhe një ndër udhëheqësit e Lëvizjes Demokratike të dhjetorit, Azem Hajdarin.
“Jam sot këtu për t’u përkulur me respekt e mirënjohje të veçantë ndaj veprës së Azem Hajdarit, udhëheqësit të ‘Lëvizjes Studentore’. Nuk duhet të harrojmë se dy udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Demokratike si Azem Hajdari, ashtu edhe Sali Berisha ishin nga Tropoja. Po jo vetëm ata, edhe shumë të rinj të tjerë, edhe shumë personalitete të tjera, intelektualë si Besnik Mustafaj e shumë të tjerë, ishin pikërisht nga Tropoja. Ashtu sikurse nuk duhet të harrojmë se pa vendimmarrjen dhe vendosmërinë e Sali Berishës edhe sot, Rruga e Kombit nga Tirana në Prishtinë mund të mos ishte bërë dhe shqiptarët do të vazhdonin të udhëtonin drejt njëri-tjetrit përmes Maqedonisë.” tha ndër të tjera Meta.
Presidenti i vendit e konsideroi Tropojën si një nga krahinat që ka qenë dhe vazhdon të mbetet me rëndësi strategjike mbarëshqiptare dhe fqinjësore.