Vendosni fjalën kyçe....

Kush është shqiptarja nga Kukësi që garon në zgjedhjet lokale në Belgjikë – PROFIL


Nuk është e lehtë të integrohesh në një vend të huaj, ama Denisa Nela ia ka dalë më së miri që jo vetëm të integrohet në Belgjikë, pas largimit nga Shqipëria, por gjithashtu po garon në zgjedhjet lokale.

24-vjeçarja Denisa Nela, me origjinë nga Kukësi, është larguar drejt Belgjikës kur ende nuk i kishte mbushur 10 vjeç.

“Gjithmonë është shumë e vështirë të flasësh për veten dhe, me pak fjalë, do të përpiqem t’ju tregoj se kush jam dhe mbi të gjitha pse unë investoj në këtë fushatë zgjedhore komunale.

E lindur më 23 shkurt 1994 në Shqipërinë e veriut, në Kukës, akoma s’kishin kaluar 10 vjet pas lindjes time kur famija ime vendosi të linte Shqipërinë për arsye politike.

Kjo gjë do të më kujtojë gjithmonë se liria është e brishtë përballë totalitarizmit, liri që duhet ta ruajmë në mënyrë që t’ia kalojmë fëmijëve tanë …

Unë jam veçanërisht mirënjohëse ndaj Belgjikës, e cila është bërë vendi im dhe unë, gjithashtu, dëshiroj të jap kontributin tim, në mënyrë që ajo të vazhdojë të mbetet kjo strehë novatore dhe e këndshme e paqes.”, thotë Nela në faqen e saj zyrtare.

Denisa Nela ka studiuar për Ekonomi-Financë dhe po përfundon edhe specializimin për Fiskalitet. Aktualisht ajo punon në zyrën e financave në një Organizatë Ndërkombëtare. Fokusi saj është në: menaxhimin e burimeve njerëzore, lëvizshmërinë, biznesi e organizimi si dhe mirëqenia e kafshëve.

Duke marrë parasysh formimin e saj, mbështetjen e familjes si dhe të komunitetit të zonës, ajo ka vendosur që të garojë në zgjedhjet lokale për pozicionin e këshilltares bashkiake, në partinë Fronti Demokratik Frankofon.

“Duke patur shansin e të pasurit prindër krenarë që kurrë nuk kanë dashur të jenë të varur, sapo isha ligjërisht e lejuar, i drejtova studimet e mia dhe punën time në mënyrë që të kisha mundësinë të përjetoja bamirësinë, reklamimin, dhe tanimë edhe botën e financave dhe llogaritjeve.

Aktualisht, edhe pse s’duket e mundur për disa, unë drejtoj time si Zyrtar i Financave në një AISBL, me studimet në kontabilitet / taksimi mbrëmjeve dhe natyrisht veprimi im politik.

Kjo gjë më lë mua shumë pak kohë të lirë, por më bën tepër të lumtur sepse e ndjej se duke e investuar v veten time në këtë mënyrë, kontribuoj në projektin që e quajmë ‘Belgjikë’, shprehet Nela. 24-vjeçarja shqiptare, kandidon për pozicionin e këshilltares bashkiake, në partinë Fronti Demokratik Frankofon.

Zgjedhjet u mbajtën vetëm një ditë më parë, ndërsa ende pritet të publikohen rezultatet përfundimtare.

Mbrëmjen e kaluar, Nela publikoi në rrjetet e saj sociale një foto me familjen e saj, krahas të cilës shkruan: “Faleminderit!!!!! Nga zemra ime dhe e gjithë familja ime, ju dua!!”, shkruan Nela.

Deri më tani, disa media belge shkruajnë se PS ka rënë, por ka gjetur mbështetje në provincën e Liege-s. Ndërkohë lista e DEFI + MR + Independents është në krye me 40.8% të votave dhe do të marrë 11 vende. Nela mbetet ende në garë, deri në përfundim të numërimit të votave.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *