Kryetari i komisionit të përbashkët ndërparlamentar Shqipëri-BE, deputeti demokrat, Genc Pollo, ka kërkuar që komisioni të mos drejtohet më nga Taulant Balla, i cili akuzohet për lidhje me krimin e organizuar.
Mbledhja e Komisionit të Përbashkët Ndërparlamentar Shqipëri-BE në Bruksel ka nisur sot dhe është shoqëruar me debate.
Pas kërkesës së Pollos, deputetët e opozitës janë larguar nga mbledhja.
“Është e padenjë që Balla të jetë bashkëkryetar. Është e padenjë të kemi një padrino të baronit të drogës në presidium. Turp për maxhorancën në Tiranë që nuk e ndërroi! Turp për ne të gjithë po e toleruam edhe në Bruksel. Me Ballën në majë të pirgut s’ka kuptim deklarata e sotme kundër drogës e pro negociatave. Eurodeputetët janë të sikletosur nga Balla: Ç’të bëjmë, zemë hundën me dorë e vazhdojmë punën. Eurodeputetët kanë kërkuar zyrtarisht shpjegime për skandalet e Ballës. Balla, një pasardhës i denjë i Tahirit në këtë Komision dhe po si Tahiri, të largohet! Dhe do të largohet. Kjo është e fundit mbledhje e Parlamentit ku Balla është bashkëdrejtues.” – deklaroi Pollo në mbledhje.
Kryetarja e seancës kërkoi nga deputetët e opozitës të respektojnë rendin e ditës.