Zgjaten afatet e hetimit për çështjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Shkak për këtë është bërë një letëporosi nga Bari, e cila nuk ka mbërritur akoma dhe një tjetër nga Mali i Zi.
Vendimi është marrë nga katër prokurorët e çështjes, Gentjan Osmani, Dritan Prençi, Vladimir Mara dhe Arens Çela.
Në shkresën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, thuhet se hetimet janë shtyrë për shkak se pritet përgjigjia nga letërporositë që duhet të vijnë nga Mali i Zi dhe Italia. Për këtë arsye, pritet që hetimet për Tahirin të vijojnë deri në 17 janar 2019.
Afatet tremujore për këtë çështje do përfundonin në 17 tetor, kohë kur dosja ose duhej të dërgohej në gjykatë ose duhet të kërkohej një zgjatje tjetër hetimore me tre muaj. Dhe ndodhi kjo e fundit, duke u shtyrë afati me tre muaj të tjerë.
Po mbushet gati një vit, që kur ish-ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, është vendosur nën hetim dhe dy prej prokurorëve që udhëhiqnin hetimet janë larguar.
Letërporosia e dërguar nga Greqia për udhëtimin e Tahirit atje për pushime verore, është prova më e rëndësishme e Prokurorisë kundër Tahirit.
Sipas të dhënave të sistemit TIMS, Tahiri ka dalë nga territori i Shqipërisë më datën 08.08.2014 ora 09:32, në drejtim të Greqisë përmes Portit të Sarandës me tragetin e linjës. 6 ditë më vonë, më 14.08.2014, Artan Habilaj, vëllai i Moisi Habilajt ka dalë nga Shqipëria për në Greqi përmes Qafë-Botës, me mjetin “Audi” rreth orës 10:51.
Dy ditë më pas, më 16.08.2014 në orën 13:31, Tahiri hyn në territorin e Shqipërisë nga Qafë-Bota, i shoqëruar nga ish-shoferi i tij Aliaj me mjetin tip “Audi” që ua kishte shitur Habilajve dhe pretendonte se s’kishte më lidhje me ta. Ndërsa po atë ditë, Artan Habilaj ka hyrë në Shqipëri me traget përmes portit të Sarandës.
Rreth 10 ditë më parë, zv/ambasadorja e SHBA-së Leyla Moses-Ones tha që duhet të vazhdojnë hetimet për Saimir Tahirin.
“Duhet të vijojnë hetimet ndaj Saimir Tahirit dhe Shullazit. Brezi i korruptuar duhet të largohet së shpejti dhe ju duhet të ndërtoni një sistem të drejtë. SHBA do të vazhdojë të mbështesë luftën kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që përdorin opozitat e tyre për t’u pasuruar”, u shpreh Leyla Moses-One.
Ish-ministri i Brendshëm dyshohet për lidhje me grupin e Habilajve dhe bashkëpunim me ta në veprën e rëndë penale të trafikut të drogës. /Hashtag.al