Në prangat e policisë së Korçës ka rënë infermieri Alku Gjalli, 31 vjeç pasi akuzohet se premtonte marrjen e provimeve pranë Fakultetit të Infermierisë, kundrejt përfitimit monetar.
“Alku Gjalli, 31 vjeç, banues në fshatin Vinçan u vu në pranga nga specialistët kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë. Arrestimi erdhi pas një urdhër-arresti të kërkuar nga Prokuroria dhe firmosur nga Gjykata e Rrethit.
Ndalimi i tij u bë pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendim numër 339 këtë të martë, ka vendosur për këtë të masën e sigurisë “Arrest me burg” pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.
Burime zyrtare nga Policia e Korçës bënë me dije se, nga hetimet e kryera në lidhje me këtë rast, rezulton se Gjalli, kundrejt shumave nga 15.000 deri në 20.000 lekë (të reja), iu premtonte studentëve, se do i kalonte në provimet e Fakultetit të Infermierisë-Korçë, në lëndë të ndryshme.
Po vijon puna për dokumentimin e plotë të saj, njoftoi Policia, ndërsa materialet hetimore për ndjekje të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.”, thuhet në njoftimin e policisë.