Vendosni fjalën kyçe....

Veliu sfidon dyshen Rama-Marku: Ballafaqojini zërat në audiopërgjim!


Albert Veliu u ka qëndruar deklarimeve të bëra gjatë gjithë kohës lidhur me çëshjen e audiopërgjimit ndaj Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Në intervistën e dhënë mbrëmjen e djeshme në emisionin “Open” në Top Channel, Veliu, tha se zëri në audiopërgjim është i Agron Xhafajt ndërsa i sfidon autoritetet duke thënë se është i gatshëm të ballafaqojë zërin e tij, zërin e Agron Xhafajt dhe të Fredi Alizotit, i cili pretendon se ka luajtur rolin e Xhafajt në audiopërgjim.

“Fredi Alizotin e njoh, por nuk kam lidhje familjare me atë. E kam ndihmuar kur ka dalë nga burgu. Ai e ka ditur historinë time sepse ia kisha treguar vetë. Për herë të fundit jam takuar me atë në Tiranë, ato ditët e problemit tim, pa ardhur në Kosovë. Nuk është i vërtetë pretendimi i Fredi Alizotit. Merrni zërin tim, të Fredi Alizotit dhe të “X” dhe ballafaqojeni.” – ka thënë Veliu.

Ai ka thënë më tej se Alizoti është mashtruar prej atyre që duan ta përdorin, ndërsa shton se nuk i ka premtuar asgjë.

Aktualisht Albert Veliu, ndodhet në Kosovë ku ka kërkuar azil politik. Ai u bë i njohur pas publikimit të audiopërgjimit ndaj Agron Xhafajt, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Pas kësaj, Agron Xhafaj u largua në drejtim të Italisë, pasi sipas tij dhe autoriteteve kishte dhënë zërin e tij për ekspertizë në organin e akuzës.

Ndërkohë që siç është pranuar nga ekspertiza angleze, zëri që është dërguar për ekspertizë në Angli nuk është ai që mund të ketë dhënë Agron Xhafaj dhe as materiali i audiopërgjimit që është dorëzuar nga Partia Demokratike, por një zë i regjistruar nga kronikat e mediave në televizion.

Kryeministri Rama dy ditë pas publikimit të audiopërgjimit, në mbledhjen me deputetët socialistë tha se zëri në audio-përgjim nuk ishte i Agron Xhafajt dhe ai e kishte marrë përgjigjen nga një laborator privat, po pa e treguar emrin e laboratorit dhe as procedurën e ndjekur. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *