Presidenti Ilir Meta në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë vizitoi së bashku me përfaqësuesit e USAID dhe Fondacionit “Yunus Social Business Albania” një biznes social të suksesshëm, ku janë punësuar mbi 100 vajza dhe gra të zonës së Mulletit dhe Petrelës.
Meta foli në këtë takim edhe në lidhje me problemet e vendit si mbjellja e kanabisit apo bastet. Ai u shpreh se bastet nuk janë zgjidhje për të shpëtuar nga varfëria, por vetëm puna e qëndrueshme, me standarde.
“Duhet të mendojmë të gjithë në këtë drejtim, që të kemi një shoqëri më të shëndetshme. Nuk mund të jetë zgjidhje as nxitja e kanabisit apo forma e “aventura” të tilla, që e dimë se sa shumë i kanë kushtuar vendit dhe familjeve shqiptare. Janë mijëra njerëz që janë nëpër burgje, strese pa fund, e shkatërrime familjesh që ka prodhura ky fenomen. As bastet nuk janë zgjidhje për të shpëtuar nga varfëria, por vetëm puna e qëndrueshme, me standarde, me përgjegjshmëri të tillë sociale që ne duhet ta nxisim më shumë duke motivuar dhe duke mbështetur ata investitorë të cilët e tregojnë këtë me shembuj konkretë. Lufta kundër varfërisë, nuk zgjidhet as me një thes me miell. Natyrisht çdo kontribut, çdo bamirësi është pozitive, por rruga e sigurtë dhe e qëndrueshme është rruga e integrimit në tregun e punës.
Kjo është e vetmja rrugë që secili të ketë një jetë të qetë, një jetë të sigurtë dhe të kontribuojë për zhvillimin ekonomik të familjes së tij dhe komunitetit ku bën pjesë.
E ardhmja e Shqipërisë janë këto aktivitete, janë shërbimet, por në mënyrë të veçantë janë turizmi, bujqësia dhe agro-turizmi”, theksoi Presidenti i Republikës.