Vendosni fjalën kyçe....

Audiopërgjimi dhe kamerat e komisariatit, si mbërriti Rama te provat e prokurorisë?


Kryeministri Rama deklaroi mbrëmjen e djeshme se i kishte parë filmimet e kamerave në komisariatin e Fushë-Krujës dhe aty sipas tij nuk figuronin as kreu i grupit parlamentar socialist, Balla, as deputeti socialist Rraja, as kryebashkiaku Bushi dhe as nënkomisari në arrati, Nuhu.

Ai e bëri deklaratën e mësipërme në emisionin “Dritare me Rudinën” në “News24” gjatë një bashkëbisedimi me një panel gazetarësh.

“Unë i kam parë kamerat. Ka kamera në atë komisariat. Nuk ekziston as Taulanti, po as ky. Ai ka kujtuar se kamerat nuk punojnë. Për fat të keq serveri ka ruajtur të gjithë imazhet. Për fatin e tij të keq dhe të gjithë shpifësve, serveri i ka ruajtur të gjitha  imazhet”, tha Rama.

Rama pretendon se i ka parë kamerat, edhe pse kjo është çështje është në kompetencat e prokurorisë që po merret me hetimin e çështjes.

Si kreu i qeverisë në një çështje ku akuzohen numri 2 i PS-së, deputeti i tij dhe kryebashkiaku i tij, Rama nuk mund të ketë akses të shohë diçka që përfshihet në hetimin e një institucioni teorikisht të pavarur si prokuroria që merret me hetimin edhe zbardhjen e çështjes.

Të njëjtën deklaratë, Rama e bënte edhe para pak muajsh pas publikimit të audiopërgjimit ndaj Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Dy ditë pas ngjarjes, në mbledhjen me deputetët socialistë Rama deklaronte se e kishte çuar  kampionin e zërit të Agron Xhafajt në një laborator privat, që sipas tij kishte vërtetuar se zëri nuk ishte i vëllait të ministrit, duke e quajtur të gjithën si një manipulim për të dëmtuar Fatmir Xhafajn dhe qeverisjen e tij.

Ndërkohë që nuk dha as emrin e laboratorit dhe as procedurën si ishte kryer kjo ekspertizë, pa përmendur faktin se atij si kryeministër nuk i lejohet të ketë akses në hetimin e prokurorisë dhe as në provat e administruara prej saj për çështjet në hetim.

Që prej publikimit të audiopërgjimit ndaj Agron Xhafajt, PD pretendon se ka publikuar dhe vijon të zbulojë prova që tregojnë përfshirjen e vëllait të ministrit të Brendshëm në trafik droge.

Këtu përfshihen deklaratat e Albert Veliut, i cili thotë se është i gatshëm kurdoherë që të ballafaqohet me vëllain e ministrit Xhafaj, duke dhënë zërat e tyre për ekspertizë si dhe provat që ka publikuar deputeti demokrat Salianji, i cili thotë se të gjitha faktet tregojnë se policia dhe prokuroria kanë bërë dhe po bëjnë çmos për të manipuluar çështjen e audiopërgjimit ndaj Xhafajt. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *