Një makinë e bërë shoshë nga plumbat është gjetur para tre ditë më parë në Shtoj të Shkodrës ndërsa lajmi është publikuar vetëm ditën e sotme.
Mjeti u gjet i braktisur pranë shinave të trenit ndërsa brenda tij policia ka gjetur edhe njolla gjaku. Policia dyshon se drejtuesi i mjetit, i cili mund të jetë një person problematik është qëlluar me armë dhe është plagosur.
Dyshohet se i plagosuri mund të jetë Artur Koçeku i cili është në kërkim pasi në dhjetorin e vitit 2017 mendohet se qëlloi për vdekje Angjelin Shkambin në varrezat e Stom Golemit në Shkodër.
Policia ka shoqëruar disa persona të cilët janë pyetur nëse kanë dijeni për ngjarjen e rëndë.
Ndërkohë në spitalin e Shkodrës nuk është paraqitur asnjë person i plagosur me armë zjarri, ndërsa vendi ku është gjetur mjeti i braktisur është një rrugë dytësore ku nuk ka shumë lëvizje, gjë që vështirëson jo pak zbardhjen e ngjarjes.