Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja, do të përballet sot me Gjykatën e Apelit ku do të kërkojë lirinë. Seanca pritet të nisë rreth orës 10:30.
Avokati i Rrajës, ka paraqitur kërkesën në Apel për lirimin e tij nga paraburgimi që më 8 tetor, kërkesë e cila do të shqyrtohet nga gjyqtarja Becaj. Ndërkohë hetimet për këtë dosje janë ende të hapura nga prokurorja Mirela Kapo.
Kujtojmë se Rexhep Rraja u arrestua më 30 shtator të këtij viti, pas publikimit të dëshmisë së nënkomisarit Emiljano Nuhu mbi dhunimin e Xhisiela Malokut.
Edhe pse ish-e dashura e tij Maloku, e ka denoncuar disa herë për dhunë dhe ekspertiza mjeko-ligjore e konfirmon dhunën në trupin e vajzës 25-vjeçare, Rraja akuzohet vetëm për përndjekje.
Nga ana tjetër, Xhisiela Maloku ka deklaruar në disa emisione televizive se denoncimet nëpër komisariate kanë qenë të rreme, duke mohuar dhunën e ushtruar ndaj saj.
Opozita dyshon se ndaj vajzës po ushtrohet presion nga politika, për të mbrojtur djalin e deputetit socialist, ndaj si pasojë ka ardhur edhe ndryshimi i dëshmive të vajzës. Por nga ana tjetër vetë Xhisiela Maloku thotë se nënkomisari Nuhu gënjen, ndërsa opozitën e akuzon se po e përdor për politikë.
10 ditë më parë një shpërthim me tritol ndodhi në banesën e gjyshit të 25-vjeçares, në momentin kur ndodhej edhe vetë ajo e pranishme, gjë që ka ngritur dyshime se kjo bëhet si formë kërcënimi ndaj Xhisiela Malokut.