Vendosni fjalën kyçe....

May: Britania dhe BE janë në momentin e duhur për marrëveshjen “Brexit”


Kryeministrja britanike, Theresa May është shprehur këtë të mërkurë se “është pikërisht tani koha” që të arrihet një marrëveshje për “Brexit”-in, teksa mbërriti për një samit me udhëheqësit e Bashkimit Europian në përpjekje për të zhbllokuar bisedimet e ngecura të divorcit.

May do të shpalosë vizionin e saj, mbi mënyrën sesi do t’i shpëtojë këto bisedime mbi daljen e Britanisë nga unioni më 29 mars të vitit të ardhshëm, përpara udhëheqësve europianë të irrituar së tepërmi prej ngërçit dramatik të negociatave gjatë së dielës.

Përpara samitit, Kancelarja gjermane Angela Merkel kishte lëshuar një paralajmërim të ashpër se Europa duhet të përgatitet për një “Brexit” pa marrëveshje, por teksa mbërrinte edhe vet ajo për diskutimet, u angazhua “të përpiqet me gjithçka mundet për gjetjen e një marrëveshjeje”.

Negociatat janë në një rrugë pa krye për shkak të çështje së ndalimit ligjor për mbajtjen hapur të kufirit mes Irlandës së Veriut, pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, dhe Republikës së Irlandës, një anëtare e Bashkimit Europian.

May përballet me një betejë të ashpër për të gjetur një zgjidhje të pranueshme si për BE-në, ashtu dhe për mbështetësit e linjës së ashpër të “Brexit”-it në Partinë e saj thellësisht të përçarë Konservatore, por ajo këmbënguli se një marrëveshje është e mundshme dhe se që kjo të ndodhë, “është pikërisht ky momenti i duhur”.

“Besoj se kushdo në atë tryezë kërkon arritjen e një marrëveshjeje. Nëse punojmë intensivisht dhe pranë njëri-tjetrit, atëherë ne mundemi ta arrijmë paktin”, u tha ajo reporterëve të interesuar me të mbërritur në Bruksel për samitin.

Përpara samitit, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk e kishte nxitur May-in të ofronte “ide të reja e konkrete sesi do të mund t’ia hedhë kësaj udhe pa krye”. Ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili zhvilloi një takim të papritur kokë më kokë me May-in, përpara darkës së samitit, foli me tone pozitive, kur tha se “nuk jemi shumë larg” marrëveshjes, por duke u kujdesur të theksonte se “tashmë duhet të përshpejtojmë punën”.

Asnjëra prej palëve nuk ka treguar shumë fleksibilitet, ndërkohë që negociatori i BE-së, Michel Barnier shprehu dëshirën për ta shtyrë edhe me një tjetër vit periudhën aktuale 21-mujore të tranzicionit “post-Brexit”, duke e çuar atë deri në fund të vitit 2021. Këtë e njoftuan dy diplomatë, në kushtet e anonimitetit. Ideja është që t’u jepet më shumë kohë negociatave për një marrëveshje mbi marrëdhëniet e ardhshme dhe për gjetjen e një formule për zgjidhjen e çështjes së kufirit irlandez.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *