Gati një muaj pas dëshmisë së nënkomisarit Emiljano Nuhu, Prokuroria e Krimeve të Rënda vetëm sot e ka thirrur Artur Bushin për të dhënë dëshminë e tij.
Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, është në mesin e personave të përmendur nga Nuhu se ishte i pranishëm në komisariatin e policisë në Fushë Krujë, kur atë e kërcënuan me armë. E gjithë kjo sipas tij, për hetimet që kishte nisur lidhur me rastin e Xhisiela Malokut.
Maloku e kishte denoncuar disa herë ish-të dashurin e saj Rexhep Rrajën për dhunë, djalin e deputetit të Krujës, Rrahman Rraja.
Ndërsa tregonte kronologjinë e ngjarjes gjatë dëshmisë live për gazetarin Basir Çollaku, oficeri Nuhu deklaroi se Xhevdet Rraja, vëllai i deputetit socialist, i ka vënë pistoletën në kokë duke e kërcënuar që të mos e arrestonte djalin e deputetit, Rexhepin.
E gjithë ngjarja ka ndodhur sipas oficerit, në zyrën e tij në komisariatin e policisë, në prani të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deputetit socialist Rrahman Rraja dhe kryebashiakut të Krujës, Artur Bushi.
Një ditë pas dëshmisë, kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, e ka cilësuar si të pavërtetë dëshminë e nënkomisarit Emiljano Nuhu.
Bushi, thoshte se dëshmia e Nuhut është gatuar në zyrat e PD-së, ndërsa mohon të ketë qenë në komisariatin e Fushë-Krujës.
“Pasi e gatuan në zyrat e PD-së, nxorrën Babalen e re. Dëshmia e Nuhut e gatuar në selinë e PD-së. Nuk kam qenë në komisariatin e Fushë-Krujës. Do publikohen pamje nga komisariati. Pamjet do vërtetojnë kush ka hyrë dhe kush ka dalë atë ditë. As Nuhu s’ishte në komisariat ditën që pretendon. Të thonë emrat e oficerëve që kanë qenë atë ditë. Berisha shkruajti një version tjetër për këtë çështje.”, janë fjalët e Bushit.