Në lidhje me rregjistrin e portaleve online përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, në një letër drejtuar kryeministrit Rama shprehet se kjo nismë mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias.
“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias.
Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online.
Është tejet e rëndësishme që të sigurohet më shumë informacion rreth objektivave të saktë të masave të shpallura, si edhe për kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur këto 44 faqe interneti“, shkruan Desir në letrën që i ka dërguar Ramës.
Desir solli në vëmendje rekomandimet e Zyrës së tij për mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në rregullimin e përmbajtjes oniline në Evropën Juglindore, duke theksuar se çdo rregullim i përmbajtjes online duhet të mbajë parasysh detyrimet ndërkombëtare, përfshirë angazhimet në kuadrin e OSBE-së.