Si të mos mjaftojë momenti negativ që po kalon me Kombëtaren shqiptare, Kristian Panuçi ka punë edhe ne gjykatat në Itali. Bëhet fjalë për një gjyq në lidhje me disa foto të bashkëshortes së Françesko Totit, të cilat janë publikuar në revistën “Oggi”, kur ajo ishte në Maldive në vitin 2011.
Alesio Çiçero është personi i akuzuar se i ka bërë dhe i ka shitur ato foto. Ndaj tij është hapur një çështje gjyqësore, ku ditën e djeshme duhet të dëshmonte edhe trajneri kuqezi Kristian Panuçi, raporton Panorama Sport.
Edhe ai ka qenë me pushime gjatë atyre ditëve në Maldive dhe është thirrur nga gjykata e Trapanit si dëshmitar. Mirëpo, Panuçi nuk është paraqitur në gjyq dhe është gjobitur me 250 euro. Gjykatësi ka vënë një tjetër datë (21 nëntor) për trajnerin e Kombëtares që të shkojë dhe të dëshmojë.