Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet Redi Popesku, pronari i lokalit ku ndodhi sherri me një të vrarë


Arrestohet Redi Popesku pronari i lokalit në ish-Bllok, ku ndodhi sherri me armë në ish-bllok që përfundoi me një të vrarë e tre të plagosur, mbrëmjen e 4 tetorit.

Rreth 17 ditë pas konfliktit me armë, policia e arreston Popeskun pasi dyshohet se ka penguar zbardhjen e ngjarjes duke mbajtur të fshehtë armën e Martinajt.

Ditën pas ngjarjes, Popesku ka shpjeguar përpara oficerëve të policisë, se ishte Ervin Mata që i kërkoi që në lokalin e tij të vinte Ervis Martinaj, për t’u sqaruar për një konflikt që kishin mes tyre.

“Mesa kuptova ka qenë një konflikt ordiner për t’u sqaruar në lidhje me ngacmimin e së dashurës së Ervin Matës, Elvana Gjata.

 Gjithashtu dua të sqaroj momentin që para se të vinte Ervis Martinaj, mua më tha Ervin Mata, nëse e kisha problem që ai të vinte tek lokali im. I thashë se nuk kishte problem, pasi Martinajn e kisha të njohur. Dua të sqaroj se të dy këta persona, si Ervin Mata dhe Ervis Martinaj u takuan normalisht dhe nuk dhanë asnjë shenjë për konflikt. Pra u takuan miqësisht dhe nuk kishin tendencë që të tregonte se situata do agravonte siç ndodhi”, ka thënë Popesku në dëshminë e tij.

Ai ka dëshmuar më tej se debati fillimisht nisi mes njërit prej djemve që shoqëronte Martinajn, i identifikuar më vonë si Fabian Gaxha dhe komandos Meviol Bilo, që ishte në shoqërinë e Matës.

Sipas Popeskut, pas debateve verbale, ata u konfliktuan edhe fizikisht, dhe ishte pikërisht personi që shoqëronte Martinajn, që nxori armën dhe qëlloi i pari.

Mbrëmjen e 5 tetorit, mbeti i vrarë Fabian Gaxha, ndërsa u plagosën Ervis Martinaj dhe Elion Hate. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:50, brenda mjediseve të lokalit “Monopol”, në pronësi të Redi Popeskut. 

Në kërkim u shpallën grupi tjetër, Ervin Mata ( i dashuri i Elvana Gjatës), Fabio Allushi, Mevjol Bilo, (Komando dhe truprojë i Elvana Gjatës, autor i dyshuar i vrasjes së Fabian Gaxhës).

Edhe pse në fillim u përfol se sherri ndodhi për këngëtaren Elvana Gjata, i dashuri i së cilës Ervin Mata mori hak pasi e ngacmuan, më vonë në hetime u përfshi edhe pista e konflikteve të mëparshme për çështje droge.

Rreth 10 ditë më parë, u njoftua se edhe Elvana Gjata është shpallur në kërkim policor pasi ajo është larguar nga Shqipëria pa dhëne deklarime për organet hetimore. 

Gjata u largua nga Shqipëria disa orë më vonë pasi ndodhi ngjarja e rëndë. Grupi hetimor, pas shumë tentativash nuk mundi të marrë një version të saj mbi ngjarjen.

Prokuroria ka urdhëruar shoqërimin e detyrueshëm të këngëtares, e cila ishte në lokalin ku ndodhi ngjarja vetëm 20 minuta para krimit. Shpallja në kërkim policor e detyron Gjatën që të paraqitet për të dhënë shpjegime brenda 30 ditëve, pasi duhej të jepte deklarimet e saj për ngjarjen./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *