Manjati i Tanzanisë, Mohammed Dewji, i rrëmbyer një javë më parë në kryeqytetin e Tanzanisë, Dar es Salam, është kthyer në shtëpi i padëmtuar.
I konsideruar si miliarderi më i ri i Afrikës, 43-vjeçari kryeson grupin ‘MeTL’ që vepron në rreth 10 vende, me interesa nga bujqësia në sigurime, transport, logjistikë dhe industrinë ushqimore.
“Unë falënderoj Allahun që jam kthyer në shtëpi i sigurt dhe i shëndetshëm”, tha Dewji në një konferencë shtypi të shtunën, në Dar es Salaam.
Ai gjithashtu falënderoi autoritetet e Tanzanisë, duke përfshirë policinë, të cilët kanë punuar për kthimin e tij, shkruan aljazeera.
Deëji u rrëmbye nga persona të armatosur në Hotel Colosseum në fillim të 11 tetorit, ndërsa po shkonte në palestër për të bërë stërvitje.
Familja e tij kishte ofruar një shpërblim prej 440.000 dollarë për çdo informacionin që do çonte në shpëtimin e tij.
Dewji kishte treguar se rrëmbyesit e tij flisnin një gjuhë të Afrikës Jugore, duke konfirmuar dyshimet se rrëmbyesit ishin të huaj, tha Lazaro Mambosasa, shefi i policisë së Dar es Salamit.
Sipas Forbes, Dewji ka një pasuri prej 1.5 miliardë dollarë dhe është miliarderi më i ri në Afrikë. Ai shërbeu si anëtar i parlamentit nga viti 2005 deri në vitin 2015.
Në vitin 2013, ai u bë Tanzaniani i parë që u paraqit në kopertinën e revistës Forbes. Dy vjet më vonë ai u emërua nga ‘Forbes’ si ‘Afrikani i Vitit’.
Në vitin 2016, ai nënshkroi një premtim për të dhuruar të paktën gjysmën e pasurisë së tij për bamirësi.