Vendosni fjalën kyçe....

Dy drejtorët e Burgjeve që përfunduan vetë në burg


Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe ish-deputeti socialist Arben Çuko, është arrestuar ditën e djeshme, pas akuzave se është përfshirë në korrupsion pasiv.

Ky është rasti i dytë një vit pas arrestimit të një tjetër ish-drejtori të Burgjeve – Artur Zoto, gjithashtu i akuzuar për korrupsion. Këto janë dy rastet e rralla, se si një drejtor bugjesh, përfundon vetë në burg.

Arben Çuko

Arben Çuko dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Ish-deputeti socialist është i ndaluar dhe po mbahet aktualisht në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Çuko është zbuluar nga përgjimet e një grupi të përfshirë në trafik droge. Dyshohet se për lejet që u jepte të burgosurve merrte para. 

Ish-drejtori i Burgjeve, u shkarkua nga detyra në datë 3 shtator nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj pasi dyshohej se ishte përfshirë në një rast korrupsioni.

Më herët Arben Çuko ka qenë Komandant i Gardës së Republikës, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

“Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhër arrestin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Arben Çuko. Arben Çuko dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve. Urdhër arresti u ekzekutua sot pasdite dhe aktualisht Çuko është i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.” – thuhet në njoftimin e policisë.

Artur Zoto

Ish-drejtori i Burgjeve Artur Zoto, u arrestua në shkurt të vitit të kaluar pas akuzave për korrupsion. 

Hetimet për të nisën kur u arrestua ish-zëvendësi i tij Iljaz Labi.

“Me kerkese te Prokurorise per Krime te Renda, gjykata ka vendosur masen e sigurise “arrest me burg” per ish-drejtorin e Pergjithshem te Burgjeve, Artur Zoto, i dyshuar per “korrupsion pasiv”, ne kuader te hetimit te nisur pak kohe me pare, ku u arrestua edhe ish-zevendesi i tij, Iljaz Labi. Urdheri i arrestit eshte zbatuar nga Policia e Shtetit pasditen e sotme”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Në maj të këtij viti, Zoto u dënua me 5 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa katër muaj më vonë ai u shpall i pafajshëm.

Ai ishte dënuar me 5 vite burg nga Gjykata e Shkallës së parë për korrupsion në tenderat e ushqimit në burgje. Ai ishte dënuar gjithashtu me heqje të së drejtës për funksione publike.

Në një proces të gjatë ku dëshmuan përveç biznesmenëve të përfshirë në aferën që u hetua, dëshmoi edhe zëvendësdrejtori i Burgjeve, Iljaz Labi, i cili e akuzonte Zoton si përgjegjësin dhe përfituesin e ryshfeteve të biznesmenëve që fitonin tenderat për ushimin e të burgosurve. Por muajin e kaluar ai u lirua në Gjykatën e Apelit, që i dha pafajësinë./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *