Tre arrestime kanë ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Vlorës, për akuza mbi vepra të ndryshme penale.
Mësohet se një person është arrestuar për kundërshtim dhe kanosje të punonjësve të policisë, një tjetër për dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, si edhe një tjetër për kallëzim të rremë.
Kundërshtim i policit:
“Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin: Lorenc Kananaj, 44 vjeç, banues në Vlorë.
Arrestimi i tij u bë pasi më datë 21.10.2018, dyshohet se ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësen e policisë së patrullës së përgjithshme duke e kanosur atë për shkak të detyrës.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, parashikuar nga nenet 236/2 dhe 238 të Kodit Penal.”, thuhet në njoftim për Lorenc Kananajn.
Dhunë ndaj bashkëjetueses:
“Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin:Redian Metaj, 35 vjeç, banues në Vlorë.
Arrestimi i tij u bë pasi mëngjesin e datës 21.10.2018, dyshohet se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij A.Sh, për motive të dobëta.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Dhunë në familje”, neni 130/a i Kodit Penal.”, thotë policia për Redian Metajn.
Kallëzim i rremë:
“Policia ka bërë ndalimin e shtetasit: Artur Ago, 47 vjeç, banues në Vlorë. Policia ka bërë ndalimin e tij pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë me Vendimin nr. 353, datë 13.07.2018, e ka dënuar këtë shtetas me 3 muaj burg për veprën penale “Kallëzimi i rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore, parashikuar nga neni 305/b i Kodit Penal.”, thuhet në njoftimin e policisë për Artur Agon.