Vendosni fjalën kyçe....

Pas arrestimit të bujshëm, lirohet pronari i hoteleve Flamur Avdyli


Pas arrestimit të bujshëm një ditë më parë, pronari i disa hoteleve Flamur Avdyli është lënë i lirë. Sipas gazetës ‘Panorama’, Avdyli është parë të dalë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës pak minuta më parë, i shoqëruar nga një person tjetër. Avdyli lëvizte pa qenë i shoqëruar nga policë, por i lënë i lirë. Ende nuk dihet arsyeja e lirimit të tij.

Një numër i madh personash janë arrestuar dje në Shijak e Durrës, mes tyre edhe Flamur Avdyli nga Shijaku, i cili dyshohet se është përfshirë në trafik droge. Avdyli rezulton se është pronar i një hoteli në Gjermani dhe i një hoteli në Shqipëri.

Që prej dy ditësh, forca të shumta policie ndodhen në qytetin e Shijakut për të ndaluar persona që kërkohen për vepra të ndryshme penale si trafiku i drogës , vrasje e kërcënime me armë.

Shumë persona janë ndaluar ndërsa të tjerë janë në kërkim. Në pranga  kanë përfunduar edhe disa anëtarë të tjerë nga fisi Avdyli, Shkëlqim Avdyli, FAstrit Avdyli, Jasin Avdyli si dhe Shaqir Gjepali dhe Fatos Llaftiu.

Të tjerë të arrestuar nga operacioni ‘Forca e Ligjit’, janë edhe Altin Isaraj, vëllai i drejtorit të Transportit Rrugor, Arben Isaraj.  Ai akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe për shitje e prodhim narkotikësh. Isaraj rezulton me precentë të mëparshëm penalë për trafik kokaine.

Ditën e djeshme u arrestuan edhe dy ish-deputetët e Partisë Socialiste, Arben Çuko dhe Arben Ndoka. I pari akuzohet për korrupsion pasi dyshohet se merrte para për lejet dhe transferimin e të burgosurve, kurse i dyti sepse dyshohet se është i përfshirë në skemën e grabitjes së tokave në Shëngjin.

Po kështu edhe në Sarandë ka forca të shumta policie që prej ditës së djeshme në një operacion për kapjen e të shumëkërkuarit Klement Balilit. Për këtë të fundit dyshohet se është zbuluar vendi ku fshihet dhe policia po ushtron kontrolle të shumta për kapjen e tij. 

Lidhur me arrestimet e bujshme, reagoi sot Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke deklaruar se operacioni Forca e Ligjit do vijojë pasi nuk është show por betejë reale me krimin e organizuar.

“Forca e Ligjit do të vazhdojë. Ky s’është show, por betejë reale me krimin e organizuar.Kemi ngritur institucione që po forcohen çdo ditë. Bashkë me agjencitë ligjzbatuese & partnerët ndërkombëtarë. Forca e Ligjit s’ndalet nga askush. Të tjera goditje e rezultate së shpejti.” – shkruante më herët Xhafaj në twitter./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *