Templates by BIGtheme NET

Kinoqeveria që do falimentojë ‘Babalen’ e ‘Xhisielën’

Blog-Autor: Ergys Mërtiri

Qeveria ka gati një plan masash të fuqishëm për spostimin e vëmendjes nga skandalet që i rrezikojnë pushtetin.

Menjëherë, pas dy javësh të nxehta policore ku shteti del të ketë ngecur keq në një rrjetë të ngatërruar përgjimesh e dokumentash, Kryeministri i qeverisë së piarit lançoi kockën e rradhës për të të spostuar vëmendjen e publikut.

Një paketë antishpifje dhe një ligj për ndalimin e lojërave të fatit ishin instrumentet për të shpëtuar nga puseta ku ka rënë.

Motoja e momentit është: Shani si të doni qeverinë, sulmojeni, përbalteni, pështyjeni, veç mos u merrni me Babalen dhe Xhisielën! Qeveria të ofron gratis subjekte për t’a sulmuar.

Çfarë do na japin për të ngrënë këtë javë?

Arrestime. Qeveria po mendon se vetëm filmat aksion mund të konkurrojnë ata me mafie.

Për këtë, shteti u çua i gjithi në këmbë të djelën në darkë, me qëllim që java të fillojë me këtë telenovelë të re. Thuhet se një numër prej rreth një mijë policësh kanë qenë në operacion. Saranda, Shijaku por edhe Durrësi u rrethuan, por megjithatë kapobandat Balili e Lul Berisha nuk u kapën dot.

Gjithsesi, përveç një bande droge në Shijak, skenari kish gati dy emra ish-deputetësh, të arrestuar për pastrim gjelbërim xhepash, sa për konsum publik.

Skenari ishte bërë i ditur që më parë nga vetë Ministri Xhafa. Ai e paralajmëroi në një deklaratë filmin duke thënë se, javën që vjen do ketë arrestime të mëdha, gjë që, me sa duket, iu ka ndihmuar djemve të marrin masa për tu fshehur.

Lajmet thonë se kur forcat RENEA mbërritën në shtëpinë e Lul Berishës për ta arrestuar, ai nuk ndodhej aty. E çuditshme! E pra, për të arrestuar Balilin dhe Lul Berishën nuk mjaftokan as 1 mijë policë nga këta të Xhafës!

Një pyetje naive: Kur Xhafaj i paska ditur gjërat, pse i ka lënë arrestimet për javën tjetër?

Ndoshta kjo vjen ngaqë, axhenda e qeverisë së piarit, ka qene e zënë për me ndalimin e bixhozit dhe shpifjes. Qeveria ecën me plan!

I vetmi që duket se e ka ngrënë plotësisht filmin, derr në thes, është ambasadori i ri i BE-së. Ai tha se mbështet arrestimet dhe se BE-ja e ka prioritet luftën kundër krimit dhe drogës.

Nga kjo deklaratë duket se ai po e zëvendëson denjësisht Vlahutinin. Zotëria, ose nuk e di që BE-ja nuk e ka hiç prioritet luftën kundër drogës dhe krimit, përndryshe nuk do ta mbështeste këtë qeveri që të vetmen gjë që i funksionon ka krimin dhe drogën, ose ndoshta ka hyrë në rol më shpejt se ç’e kishim parashikuar.

Po të jetë kështu, jemi të qartë se ambasadori Vlahutin 2, do vazhdojë si paraardhësja e tij, të shohë gjithmonë pjesën plot në fundin e gotës së zbrazur, ndaj dhe operacioni del i suksesshëm edhe pse dy emrat kryesorë nuk u kapën. BE-së nuk i ka munguar kurrë optimizmi.

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto