Vendosni fjalën kyçe....

Verifikoi në ‘TIMS’ lëvizjet e ish-ministrit Tahiri, fiton gjyqin komisari i policisë


Shefi i Antidrogës dhe trafiqeve në Policinë e Korçës, i cili verifikoi lëvizjet e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe familjes së tij në TIMS, ka fituar gjyqin.

Ndaj tij u mor masa “pushim nga puna”, por gjykata e shfuqizoi masën disiplinore.

Gjykata e Korçës ka shfuqizuar masën disiplinore ndaj shefit të seksionit kundër krimit ekonomik, drogës dhe trafiqeve në Policinë e Korçës, Dritan Hoxha.

Ky zyrtar u ndëshkua në shkurt nga Drejtoria e Standarteve Profesionale, me paralajmërim për largim nga puna, pasi kishte kontrolluar në sistemin TIMS lëvizjet jashtë vendit të ish -ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri dhe babait të tij, Bashkim Tahiri.

Në padinë e siguruar nga ‘ABC News’, rezulton se Hoxha, së bashku me vartësin e tij Mariglen Koro, ishin ndër 23 efektivët e policisë,të drejtorive të ndryshme të vendit, ndaj të cilëve, Standardet kishin filluar proçedimin disiplinor për këtë çështje.

Të dhënat e përftuara për familjen e Sajmir Tahirit, oficerët e policisë, të gradave dhe detyrave të ndryshme, i kanë shpërndarë në media, konkludoi hetimi i Drejtorisë së Standardeve.

Masa administrative për Dritan Hoxhën, i cili ka nje karrierë 16 vjeçare dhe mban gradën komisar, u la në fuqi edhe nga Komisioni i Apelimit i Drejtorisë Vendore të Korçës, çfarë detyroi Hoxhën t’i drejtohet gjykatës,duke paditur institucionin ku punon.

Hoxha ka argumentuar para gjykatës, se në ditët që janë kontrolluar në TIMS hyrje -daljet e Sajmir Tahirit, ai ka qenë me leje të zakonshme.

Sipas tij, ka qenë vartësi Mariglen Koro, ai që ka hyrë në llogarinë e tij, e cila kishte mbetur e hapur në kompjuterin e zyrës, pasi Seksioni kundër Korrupsionit është i lidhur vetëm me një kompjuter me sistemin TIMS, që i përket llogarisë së paditësit.

Standardet sipas oficerit nuk ka bërë një hetim të  plotë dhe të pavarur lidhur me objektin e masës disiplinore, pasi nuk ka asnjë të dhënë elektronike, të nxjerrë nga serverat e Policisë së Shtetit, se nga cilat IP janë bërë kontrollet, sa herë janë bërë restart dhe reset kodet në sistemin TIMS, ndërsa nuk janë identifikuar, cilët oficerë policie, shpërndanë për mediat, të dhënat e nxjerra nga sistemi TIMS për Sajmir Tahirin.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Abcnews.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *