Një zyrtar i lartë turk ka thënë për CNN-in se një nga anëtarët e skuadrës prej 15 personash që dyshohet se vranë Jamal Khashoggi-in, është kapur duke u larguar nga Konsullata Saudite me rrobat e reporterit, në të njëjtën ditë kur ndodhi vrasja.
“Nuk ka nevojë për një trup të dyfishtë për një interpretim apo për një marrje në pyetje. Vlerësimi ynë nuk ka ndryshuar që nga 6 tetori. Kjo ishte një vrasje me paramendim dhe trupi u largua nga konsullata.”, tha zyrtari për CNN.
Pamjet e kamerave të sigurisë të siguruara nga autoritetet turke dhe të publikuara në CNN, tregojnë burrin që më datën 2 tetor largohet nga konsullata saudite nga dera e pasme, duke veshur rrobat e gazetarit, një mjekër të rreme dhe syze, për t’u dukur si Khashoggi.
Katër orë para vrasjes, burri i quajtur Mustafa al-Madani ishte parë duke hyrë në ndërtesën e konsullatës i veshur një këmishë blu dhe të bardhë, dhe pantallona blu të errët, por në momentet pas incidentit, al-Madani mund të shihet duke veshur xhaketën e vetme të errët të Khashoggi-t, këmishë dhe pantallonat e tij.
“Rrobat e Khashoggi-it ishin ndoshta të ngrohta kur Madani i veshi ato,” tha zyrtari i lartë turk për CNN, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.
Sipas zyrtarit turk, Madani, 57 vjeç, është në të njëjtën moshë dhe thuajse njësoj i gjatë sa gazetari i ndjerë dhe u përdor si mashtrim.
Al-Madani shfaqet në Xhaminë e famshme blu të qytetit, një destinacion popullor turistik ku ai mund të përzihet me turmën, përpara se të ndërronte sërish rrobat.
Deri më tani, shpjegimi i sauditëve për atë që i ndodhi Khashoggi-it ka ndryshuar shumë herë. Trupi i Khashoggi-it ende nuk është gjetur ndërsa shtetet perëndimore ushtrojnë presion mbi qeverinë saudite për të sqaruar rrethanat e vdekjes së gazetarit disident, kritik ndaj al-Saud dhe gazetar i ‘Washington Post’.