Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Arsimit në Kosovë largon nga puna zyrtaren e dyshuar për vjedhje në Bruksel


Igballe Cakaj, zyrtarja e lartë në Ministrinë e Arsimit të Kosovës që u akuzua se kishte vjedhur në një qendër tregtare në Bruksel, është shkarkuar nga detyra.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë lajmëroi se i ka ndërprerë marrëdhënien e punës zyrtares së lartë Igballe Cakaj. Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Ministrisë, Valmir Gashi për KALLXO.com.

Sipas Gashit, vendimi është marrë nga sekretari i MASHT-it.

“Në lidhje me znj. Caka, komisioni disiplinor ka nxjerrë vendim që të largohet nga puna, dhe sigurisht që kjo nënkupton edhe ndërprerje nga çdo angazhim tjetër në kuadër të MASHT-it. Vendimin për të e ka marrë sekretari i Ministrisë, Ekrem Kastrati”, ka deklaruar Gashi.

Në dokumentin e publikuar thuhet se udhëheqëses së Divizionit për zhvillim profesional të mësimdhënësve në MAShT i shqiptohet masa disiplinore: Ndërprerja e marrëdhënies së punës në shërbimin civil.

Igballe Cakaj ishte pjesë e delegacionit të MASHT-it në takimin e ministrave të Ballkanit Perëndimor në muajin qershor, delegacion ku ishte i pranishëm dhe vetë ministri Shyqiri Bytyqi, shkruan gazeta Ekspress.

Igballe Cakaj gjatë qëndrimit në Bruksel, ka hyrë në një qendër tregtare për të blerë rroba, por ndërkohë që një pjesë e ka paguar, një pjesë tjetër dyshohet që ta ketë fshehur në çantë. Gjithçka thuhet se është kapur nga kamerat e sigurisë.

Ministri Shyqiri Bytyqi e konfirmoi lajmin për mediat duke mos e përmendur emrin e zyrtares, por emri i saj u bë publik më vonë.

Pas deklaratës me gojë të Cakajt, Komisioni Disiplinor kishte ardhur në përfundim se provat e ofruara si dyshime për vjedhje apo tentim për vjedhje në lokalin në Bruksel në bazë të fakteve rezultojnë të vërteta. Për këtë arsye u mor vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me të.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *