Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj nga Mal të Zi, gjatë një takimi me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviç deklaroi se transfromimi i Forcës së Sigurisë në Ushtri të Republikës së Kosovës është një çështje e brendshme e vendit.
Në lidhje me çështjen e kufinjve Haradinaj tha se nuk dëshiron të flas rreth idesë për shkëmbim të territoreve me Serbinë, pasi sipas tij Kosova ka humbur shumë gjatë luftës së fundit dhe se nuk dëshiron t’i kthehet të kaluarës.
“E kaluara ishte tragjike, lufta në Kosovë ishte tragjike, dhjetëra e qindra njerëz humbën jetë e tyre dhe ekonomia ishte shkatërruar. Ne jemi të gatshëm për pajtim. Mandati i Forcës së Sigurisë, është çështje e brendshme e Kosovës.
Në Ballkan sa herë që janë ngritur çështje që kanë të bëjnë me territorin dhe kufijtë, gjithmonë janë pasuar me histori dhe ngjarje tragjike. Ne nuk jemi të interesuar. Kemi humbur shumë në të kaluarën dhe nuk dëshirojmë të kthehemi në të kaluarën”, përfundundoi Haradinaj.