Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi vendos sot për ‘Lojërat e Fatit’


Ditën e sotme në Kuvend do të vendoset mbi ligjin për ‘Lojërat e Fatit’, aq shumë të diskutuar, me kryeministrin në njërën anë që prej më shumë se katër vitesh zotohet t’i mbyllë dhe me opozitën që e akuzon se ka bërë krejtësisht të kundërtën.

Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama paralajmëroi se sot do të jetë ligji që ndalon bixhozin, duke ironizuar edhe opozitën.

“Nesër në Kuvend për Ligjin që ndalon Bixhozin (kazino, baste sportive,baste për gara qensh, kuajsh,luftra gjelash,off apo online, pa asnjë përjashtim)! E po nesër dhe ca fjalë për Lloto Opozitën e për bastet e gjysmagjelave të kazanit politik të baltës së shpifjeve e të akuzave”, shprehet Rama. 

Nga ana tjetër, kreu i PD-së Lulzim Basha, ka akuzuar kryeministrin Rama se operacioni i nisur nga ai ‘Fundi i marrëzisë’ nuk i mbylli lojërat e fatit, por ky biznes u rrit me 4 herë.

Lideri i PD nuk kursen me akuza edhe vëllain e kryeministrit, po ashtu edhe atë të ministrit Xhafaj, konkretisht për Agron Xhafajn dhe Olsi Ramën.

“Shqipëria nuk ka më as kryeministër, as Kuvend, as prokurori, as polici, as gjykata as qeveri, por nje tufë politikanësh banditë që kanë kapur shtetin dhe marrë peng vendin. Përballja me popullin është e pashmangshme dhe fundi i diktaturës së krimit i sigurtë.”, shprehet Basha në Twitter. 

Kujtojmë që më herët këtë muaj, Rama pezulloi Autoritetin e mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për t’ja ngarkuar këtë detyrë ministrit të tij të Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetajt. 

Ahmetaj sipas vendimit duhet të nxjerrë aktet e nevojshme për ristrukturimin e AMLF-së, si dhe të ndjekë zbatimin e këtij procesi.

Pak ditë më parë, Komisioni i Ekonomisë ka miratuar mbylljen e të gjitha kazinove dhe pikave të basteve deri në 31 dhjetor të këtij viti.

Ministri i Ekonomisë, Ahmetaj, tha se vendimi është marrë tashmë dhe nuk do ketë asnjë kthim prapa.

Ligji që vendos mbylljen e pikave të basteve dhe kazinove u votua vetëm nga përfaqësuesit e maxhorancë, pasi opozita nuk mori pjesë në Komision.

Ministri Ahmetaj u pyet për efektet e ligjit në rritjen e papunësisë, së cilës iu përgjigj duke thënë se rreth 7900 personat që humbin vendin e punës do trajnohen dhe mund të gjejnë punë në sektorë të tjerë të ekonomisë, e cila po zgjerohet.

Po t’i referohemi shifrave zyrtare të INSTAT për konsumin e familjeve dhe deklarimeve të kryeministrit për shumat e shpenzuara në lojërat e fatit, shqiptarët rezultojnë se kërkimin e fatit e kanë shpenzimin e dytë, pas ushqimeve.

Sipas të dhënave të INSTAT, në anketën e Buxhetit të Familjeve për vitin 2017, shpenzimet totale mujore për rreth 770 mijë familje ishin 56.5 miliardë lekë në muaj, ose 678 miliardë lekë në vit, shkruan Monitor.al.

Edhe Italia këtë verë bëri disa ndryshime ligjore përsa i përket lojërave të fatit.  Dhoma e Deputetëve në Itali ka kaluar ligjin e parë të vërtetë të qeverisë  “5 Yjet-Liga e Veriut”, dhe ky ishte pikërisht ligji që njihet si i dinjitetit dhe që prek thuajse të gjithë sektorët. Ligji që kaloi me 312 vota në favor dhe 190 kundër, parashikon ndalimin e publicitetit për kompanitë e basteve, e madje edhe vendosjen e dixhiturës “dëmton rëndë shëndetin”, mbi biletat “gërvisht dhe fito” si dhe mbi kompjuterat e lojërave të faktit. Për ata që e shkelin ligjin, gjobat do të jenë deri në 20% të vlerës së kontratës së marketingut.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *