Vendosni fjalën kyçe....

Lëmshi i krimit – Ç’drejtim do i japë Arta Marku?!


Që prej zgjedhjes së saj si Kryeprokurore e Përgjithshme e Përkohshme, vetëm me votat e mazhorancës më 18 dhjetor 2017, Arta Marku është përballur me një numër të madh çështjesh të rëndësishme të cilat kanë shpërthyer si kërpudhat pas shiut dhe që kanë ngecur në vendnumëro.

Me ardhjen e saj në krye të prokurorisë, lëvizja e parë që bëri Marku ishte emërimi i të besuarës së saj, Donika Prela, në krye të Krimeve të Rënda.

Ekstradimi i Nezar Seitit – Janar 2018

Arta Marku dhe e besuara e saj, Prela, u gjendën në kulmin e hetimeve ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili dyshohet për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge në bashkëpunim me Habilajt, njëri prej të cilëve u kap në Itali.

Pas kësaj, në Shqipëri u arrestua Nezar Seiti, i emërtuar si llogaritari i grupit por pas një qëndrimi në shkurtër në Shqipëri, ai u ekstradua në mënyrë të dyshimtë dhe në kundërshtim me ligjin në Itali. Një situatë në të cilën ku Arta Marku dhe ministrja e Drejtësisë, Gjonaj, luajtën hidh e prit se kush duhet të mbante përgjegjësinë për këtë ekstradim.

613 kilogramët e kokainës në Durrës – Shkurt 2018

Në muajin shkurt, në Portin e Durrësit kapët një sasi rekord prej 613 kilogramësh kokainë, që fillimisht u njoftua si operacion i policisë shqiptare, por më pas vetë ministri Xhafaj pranoi që në këtë operacion ishte përfshirë anti-droga kolumbiane dhe ajo amerikane.

Për drogën e kapur, deri tani janë ndaluar pronari i kompanisë Arbri Garden, Arbër Çekaj, i cili është i arrestuar në Gjermani, menaxheri i kompanisë Arbri Garden, Donaldo Lushaj dhe shoferi i kamionit, Armando Pezaku.

Audiopërgjimi ndaj Agron Xhafajt – Maj 2018

3 muaj pas drogës së Maminasit, u publikua një audiopërgjim ndaj Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm Xhafaj, i cili sipas opozitës tregon përfshirjen e Xhafajt në trafikun ndërkombëtar të drogës ndërkohë që i vëllai është ministër i Brendshëm. Pas publikimit të audiopërgjimit, Agron Xhafaj, shkoi një letër të hapur, vajti në prokurori ku pretendon se ka dhënë zërin për ekspertizë dhe iku vullnetarisht në Itali, për të kryer dënimin.

Ndërkohë që duhet të hetohej në Shqipëri për akuzat ndaj tij lidhur me trafikun e drogës dhe ndërsa ka dyshime të forta për procedurën e ndjekur gjatë dhënies së kampioni të zërit për ekspertizë. Edhe pas kësaj, prokuroria ka dërguar për ekspertizë në Angli, një material të marrë nga mediat dhe jo zërin origjinal.

Lidhur me këtë çështje prokuroria ka marrë nën hetim gazetarin Olldashi që ka kryer audiopërgjimin, deputetin Salianji që e publikoi atë, Albert Veliun që ka qenë personi i përfshirë në audiopërgjim dhe Fredi Alizotin, i cili pretendon se ka bërë zërin e Xhafajt.

3.4 milionë eurot në “Toyota Yaris” – Qershor 2018

Në muajin qershor, në Portin e Durrësit u kap një sasi prej 3.4 milionë eurosh në makinat ‘Toyota Yaris’ në Portin e Durrësit. Në pranga për këtë çështje kanë përfunduar Edi Lika, administratori i kompanisë që solli makinat nga Belgjika, djali i tij Klevis Lika, shoferi i kamionit trailer, Agim Çeka dhe pronarit i një servisi, Alban Mollaymeri.

Arrestimi i grupit Bajraj / Videodëshmia e nënkomisarit Nuhu – Shtator 2018

Një muaj pas eurove, në Shkodër u ndaluan pas një operacionit të policisë, 11 anëtarë të atij që është emërtuar si grupi Bajraj, të cilët akuzohen si pjesë e nje grupi të strukturuar kriminal që akuzohet për vrasje, gjobvënie, trafik droge dhe pastrim parash.

Po në shtator, u publikua një videodëshmi e nënkomisarit të policisë, tashmë në arrati Emiljano Nuhu, i cili akuzonte drejpërdrejtë kreun e grupit përlamentar të PS-së, Taulant Balla, deputetin socialist të PS-së, Rraja dhe kryebashkiakun socialist të Krujës Artur Bushi, se në zyrën e tij e kishin kërcënuar të mbyllte çështjen e djalit të deputetit, Rexhep Rraja, i cili ishte akuzuar disa herë nga e reja Xhisiela Maloku për dhunë, kanosje me armë dhe përndjekje.

Vrasja në Bllok / Arrestimi i grupit Avdylaj / Arrestimi i Çukos e Ndokës – Tetor 2018

Në muajin tetor, në Bllok ndodhi një përplasje me armë, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha, ndërsa u plagosën Eljon Hato dhe Ervis Martinaj. Autori i dyshuar i vrasjes është komandoja Meviol Bilo.

Pas një aksioni të policisë në mes të tetorit, në disa qarqe të vendit u arrestuan 44 persona, nga disa grupe të dyshuara si kriminale të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar droge dhe tjetërsim pronash. Nga përgjimet ka dalë se me grupin e Avdylajve nga Shijaku ka pasur lidhje ish-deputeti i PS-së, Arben Çuko. Kurse ish-deputeti Arben Ndoka, akuzohet se ka të bëjë më çështjen në hetim për tjetërsimin e pronave në Lezhë.

Rreth një vit nga zgjedhja e saj, Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Marku dhe e besuara e saj te Krimet e Rënda, Prela, përballen me një numër të madh “patatesh të nxehta”, të cilat kanë ngecur në vendnumëro. A do arrijë dyshja Marku-Prela ta zgjidhë lëmshin?! /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *