Ditën e sotme Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka rrëzuar dekretin e Presidentit mbi ligjin për Teatrin. Të pranishëm në komision ishin vetëm përfaqësuesit e mazhorancës.
Si rezultat, pritet që dekreti të kalojë sot në seancën plenare në Kuvend, për verdiktin e fundit.
Dje Kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi tha se është përfshirë në axhendën e Komisionit që shqyrtimi të bëhet ditën e enjte në orën 9:00 të mëngjesit, një orë para se të fillojë seanca plenare dhe sipas rregullores së Kuvendit, dekreti futet automatikisht në rendin e ditës dhe në kalendarin e punimeve.
Presidenti Ilir Meta e firmosi dekretin për ligjin e Teatrit në datën 11 tetor duke vendosur ta kthejë në Kuvend për shtyrtim.
Në argumentimin e Metës, thuhej se pavarësisht ndryshimeve të bëra prej mazhorancës në ligjin e votuar prej tyre për së dyti, ato nuk rregullonin asnjë prej vërejtjeve të theksuar në kthimin e ligjit të parë, duke vënë theksin sidomos tek mungesa e garës së hapur dhe transparencës.
Në dekretin e Metës theksoheshin 9 pika ku ligji për teatrin kishte probleme duke përmendur mungesën e transparencës, mungesën e garës së hapur, favorizimin e një kompanie të vetme si dhe shkeljen e disa normave të BE-së për çështjet e trashëgimisë kulturore.